Shkollë e re në Berzhitë- Veliaj: Nisma edhe për lidhjen me tregjet
Një shkollë e re 9-vjeçare do të hapë dyert në sezonin e ri shkollor për fëmijët e fshatit Mihajas në Berzhitë.
Bashkia e Tiranës është në përfundim të punimeve të shkollës së re, e cila do t’i shërbejë një komuniteti që jeton në një nga zonat më periferike të Tiranës, edhe si një qendër shëndetësore. Kryebashkiaku Erion Veliaj inspektoi punimet, ku theksoi se Bashkia nuk ka diferenca në investime, pavarësisht nëse bëhet fjalë për qendrën e Tiranës apo zonat më periferike të saj.
Veliaj u shpreh se përveç shkollës, Bashkia e Tiranës do të vijojë edhe me rrugën, ndërsa theksoi nevojën për të ndërmarrë disa nisma që do ta lidhnin më shumë këtë zonë me tregun e Tiranës, çka do të stimulonte prodhimin bujqësor, por edhe do të sillte një rritje të ekonomisë lokale.
Bashkia e Tiranës së fundmi është përqendruar në investime në njësitë e reja administrative që i janë shtuar kryeqytetit, për të mundësuar shërbime më të mira për banorët.
Elisabeta Dosku/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.