Shkollimi publik pa pagesë në SHBA / Biden premton 2 vite shtesë të fakultetit duke taksuar të pasurit
Presidenti Joe Biden i bëri thirrje amerikanëve të pasur dhe korporatave që të paguajnë pjesën që i takon për të financuar fakultetet komunitare pa pagesë dhe përfitime të tjera për punonjësit. Gjatë një fjalimi në një universitet në Virginia, Biden tha se propozimi i tij për të zgjeruar sistemin e edukimit publik në SHBA, do të ribalancojë ekonominë dhe do jetë përfitues për amerikanët me të ardhura të ulëta. Shtetet e Bashkuara mund të ofrojnë 2 vite të edukimit pas shkollës së mesme pa pagesë, duke rritur normën më të lartë të tatimit mbi të ardhurat në nivelin që ishte në vitin 2001, sipas Biden.
Vizitat në shkolla janë pjesë e takimeve për të shitur planin prej 2.3 trilionë dollarë të Biden për të rindërtuar rrugë, infrastrukturë si dhe paketën sociale që përfshin 1 trilionë dollarë në edukim dhe kujdesin e fëmijëve për 10 vite, dhe 800 miliardë dollarë në kredite tatimore që synojnë familjet me të ardhura të ulëta e të mesme. Plani do të zgjerojë shkollimin publik pa pagesë në Amerikë prej 13 vitesh nga të dyja anët, duke shtuar 2 vite të parashkollimit për 3 dhe 4 vjeçarët dhe 2 vite të fakultetit komunitar për ata që kanë mbaruar shkollën e mesme. Dy propozimet, të financuara nga rritja e taksave ndaj korporatave dhe amerikanëve të pasur, nëse mblidhen së bashku, do të përbënin iniciativën më të madhe të shpenzimeve të brendshme që prej viteve 60’.
Klevis Llaha – SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.