Shkon në 8 numri i centraleve të sterilizimit në spitalet rajonale, investim prej 9 mln euro

Zgjerohet harta e ofrimit të shërbimit të sterilizimit dhe instrumentave të rinj kirurgjikalë në spitalet rajonale. Ndërhyrjet kirurgjikale tashmë kryhen me instrumentet e rinj edhe në spitalin e Durrësit duke ulur afër zeros infeksionet post- operatore te pacientët.
“Shërbimi i ofrimit të instrumentave të rinj kirurgjikalë sterilizimit të tyre, shënon një epokë të re në shërbimin e kirurgjisë shqiptare, duke garantuar standardet më të larta të metodave dhe praktikave më të mira ndërkombëtare, duke ofruar më shumë siguri për pacientët. 1.2 milion euro është investimi në spitalin rajonal të Durrësit vetëm për centralizin e sterilizimit”, tha Manastirliu.
Centrali i sterilizimit i ngritur në Spitalin Rajonal Durrës i shërben spitaleve të Durrësit, Kavajës dhe Krujës për rreth 10 mijë intervente në vit, të cilat tashmë do të kryhen me instrumentet e rinj kirurgjikalë.
Por nuk janë vetëm instrumentet, është një shërbim kompleks që përfshin sterilizimin cilësor të instrumenteve kirurgjikalë; ofrimin e materialeve të buta ndihmëse njëpërdorimëshe për ekipin mjekësor dhe shtratin e operacionit; dezinfektimin e sallës së operacionit në fund të ditës; përpunimin e mbeturinave të rrezikshme dhe shndërrimin e tyre në mbetje urbane; ofrimin e set-it të personalizuar sipas çdo lloj ndërhyrje kirurgjikale.
Deri tani ky është centrali i 8 (tetë) i sterilizimit i ngritur në spitale, ku investimi është në vlerën 9 milion euro.
46 mijë ndërhyrje kryhen sot në spitalet publike me instrumente të rinj kirurgjikalë, duke përgjysmuar infeksionet spitalore që në vitin e parë të implementimit të këtij investimi.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.