“Shkrihen” hipotekat, kryeministri Rama-regjistruesve: Të gjithë, nga i pari te i fundit të firmosin sot dorëheqjen
Kryeministri Edi Rama ka kërkuar dorëheqjen e menjëhershme të regjistruesve të hipotekave të cilët cilësohen si bllokues në procesin e regjistrimit të lejeve të legalizimit. Procesi i legalizimeve po përballet sërish me ngërçin e mosregjistrimit të tyre në hipoteka.
Në një takim me kreun e Legalizimeve e me përfaqësues të ZRPP-ve u konstatua sërish problemi për të cilin pak muaj më parë u ndërmor edhe një ndryshim ligjor që parashikonte që procesin e regjistrimit të lejeve të legalizimit në ZRPP ta kryente Agjencia e Legalizimeve. E në këtë takim, kryeministri ka njoftuar se largimi nga detyra e të gjithë regjistruesve është vetëm hapi i parë.
“Hipotekat një nga pjesët më të prekura prej sistemit kanceroz të Tepsisë së Partive të Pushtetit. Dorëheqja e të gjithë regjistruesve pa dallim përkatësish partiake dhe shpallja e kërkesës publike për kandidatë, për pozicionin e regjistruesit në çdo bashki, është vetëm hapi fillestar në rrugën e një reforme rrënjësore për të bërë shtet në hipotekë. Hapi tjetër, me krijimin e qeverisë së re, do të jetë ngritja e Agjencisë Kombëtare të Titujve të Pronësisë dhe synimi është që më herët se sa vonë, brenda këtij mandati, çertifikata e pronës të mundësohet automatikisht nga regjistri kombëtar digjital i pronës – jo më për javë, muaj e vite, po në pak minuta” shkruan Rama në postimin në rrjetet sociale që shoqëron videon e takimit të zhvilluar në kryeministri.
Ndërkohë, në fjalën e tij, kreu I ALUIZNI-t, Artan Lame pranoi vijimin e ngërçit të disa muajve më parë. Sipas Lames, janë shumë leje legalizimi që refuizohen për tu regjistruar me motivacione të ndryshme çka vonon më tej mbylljen e plotë të procesit të legalizimeve.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.