“Shkrihen” zyrat e IT-së së institucioneve e ministrive! Punonjësit, sistemet dhe infrastruktura i kalojnë AKSHI-t

Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit do t’i nënshtrohet riorganizimit në dy faza, duke marrë përsipër ofrimin e të gjithë shërbimeve IT në institucionet publike. Vendimi i Këshillit të Ministrave parashikon shkrirjen e të gjitha zyrave të IT-së në ministri e institucionet të tjera dhe transferimin e punonjësve te kjo agjenci shtetërore. Po ashtu, edhe infrastruktura dhe rrjetet do t’i kalojnë në administrim AKSHI-t.
Procesi parashikohet të zhvillohet në dy faza. Faza e parë do të jetë brenda datës 31 dhjetor 2017ndërsa faza e dytë brenda datës 30 qershor 2018.
Referuar vendimit, AKSHI përgjigjet për ngritjen, mirëmbajtjen dhe administrimin e sistemeve dhe aplikacioneve të teknologjisë së informacionit dhe komunikimit, për infrastrukturën e qendërzuar dhe infrastrukturën TIK, për institucionet dhe organet e administratës shtetërore nën përgjegjësinë e Këshillit të Ministrave. Po ashtu, AKSHI do të organizojë prokurimin e përqendruar për pajisjet TIK, me vlerë mbi kufirin monetar të prokurimeve me vlera të vogla, dhe për institucionet dhe organet e administratës shtetërore nën përgjegjësinë e Këshillit të Ministrave, të cilët, jo më vonë se data 30 qershor, duhet t’i dërgojnë kërkesë me shkrim AKSHI-t për nevojat e tyre për projektet dhe pajisjet TIK për vitin pasardhës.
Në nenet tranzitore parashikohet se strukturat përgjegjëse të Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit bëhen pjesë të strukturës së AKSHI-t dhe se punonjësit aktualë të njësive të teknologjisë së informacionit e të komunikimit (NJTIK), në përbërje të strukturave të institucioneve dhe organeve të administratës shtetërore nën përgjegjësinë e Këshillit të Ministrave, kalojnë tek AKSHI, brenda datës 31 dhjetor 2017. Po ashtu, në rastet kur nuk ka mundësi për angazhimin e tyre, do të zbatohet legjislacioni në fuqi për nëpunësit civil, në rastin e mbylljes dhe ristrukturimit të institucionit, apo Kodit të Punës.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.