Shkrihet Komitetit Ndërministror i Migracionit, krijohet Komiteti Shtetëror i Diasporës

Këshilli i Ministrave ka miratuar sot vendimin për ngritjen e një Komiteti Shtetëror për Diasporën. Ky i fundit do të shërbejë si një organ konsultativ i Këshillit të Ministrave lidhur me politikat dhe veprimtaritë shtetërore në fushën e Diasporës.
Komiteti do të përbehet nga një kryetar, i cili është përcaktuar të jetë Kryeministri dhe disa anëtarë. Anëtarët përfshijnë Ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ministrin e Brendshëm, Ministrin e Drejtësisë, Ministrin e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Ministrin e Kulturës, Ministrin e Mjedisit dhe Turizmit, Ministrin e Shtetit për Diasporën, Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, Kryetarin e Akademisë së Shkencave dhe Drejtorin e INSTAT-it.
Ky Komitet do të ushtrojë veprimtarinë e tij në një sërë fushash. Kështu, ai do të përgatisë linjat orientuese për hartimin e politikave të reja dhe përcaktimin e prioriteteve strategjike në fushën e Diasporës.
Po ashtu, mekanizmat ligjorë dhe institucionalë për çështje ligjore që lidhen me përmirësimin e pozitës së anëtarëve të Diasporës si dhe mbrojtjen e të drejtave të tyre në vendet ku jetojnë do të propozohen nga Komiteti Shtetëror për Diasporën.
Ndërkohë, ai ka për qëllim nxitjen e zhvillimit të dialogut për zbatimin e strategjisë, politikave dhe legjislacionit në fushën e zhvillimit të komuniteteve të diasporës. Tjetër fushë ku Komiteti do të ushtrojë veprimtarinë e tij lidhet me koordinimin dhe zbatimin e Strategjisë Kombëtare për Diasporën.
Gjithashtu, ai do të mbështesë si dhe do të monitorojë veprimtarinë e Agjencisë Kombëtare për Diasporën.
Nga vendimi është parashikuar që ky Komitet të mblidhet një herë në tre muaj si dhe sa herë që është e domosdoshme. Mbledhja do të bëhet vetëm me kërkesë të Kryeministrit. Në mbledhje mund të marrin pjesë përfaqësues të grupeve parlamentare, të organeve të qeverisjes qendrore e vendore apo e institucioneve të tjera.
Me krijimin e këtij Komiteti, shfuqizohet edhe Urdhri nr.115, datë 11.5.2006, i Kryeministrit, “Për ngritjen dhe funksionimin e Komitetit Ndërministror të Migracionit”. Vendimi për ngritjen e këtij Komiteti do të hyjë në fuqi menjëherë pas botimit në “Fletoren Zyrtare.”
Genta Dobra/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.