Shkrirja e Fiat me Peugeot, FCA hedh poshtë raportimet: “Kushtet e marrëveshjes nuk do ndryshojnë”
Fiat Chrysler deklaroi se kushtet e marrëveshjes me Peugeot Citroën të Francës nuk kanë ndryshuar, pasi një e përditshme italiane raportoi se po përpiqet të shkëpuse asete për të reduktuar pagesën cash’ prej 5.5 miliardë euro drejt aksionerëve. Fiat deklaroi se do të respektojë kushtet e rëna dakord me PSA në muajin Dhjetor, përpara se koronavirusi të godiste kërkesën për makina. “Strutkura dhe kushtet e shkrirjes janë rënë dakord dhe nuk do të ndryshohen”, deklaroi një zëdhënës i kompanisë.
Fiat dhe Peugeot planifikojnë të përfundojnë shkrirjen në tremujorin e parë të vitit të ardhshëm. E përditshmja italiane “il Sole 24 Ore” raportoi se Fiat mund të ruajë para cash duke reduktuar dividentin e veçantë, me shumë mundësi duke i dhënë aksionerëve aktive në formë kompensimi. “il Sole” raportoi se bisedimet ndodhen në fazë fillestare dhe nuk është marrë vendim deri më tani, duke shtuar se synimi është të ruhet vlera prej 5.5 miliardë euro e dividentit special, por të ndodhë në formën e aktiveve e jo në para cash’.
Fiat sapo ka rënë dakord për një kredi shtetërore prej 6.3 miliardë euro për të ndihmuar njësinë italiane dhe të gjithë industrinë automotive për të përballuar krizën. Pavarësisht se kjo nuk e ndalon Fiat për të paguar dividentin, që ka afat vitin 2021, politikanët italianë kanë ngritur pikëpyetje mbi një pagesë kaq të madhe në cash’.
Klevis Llaha / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.