Shoqata e Siguruesve: Po rriten aksidentet me shkaktarë të paidentifikuar, jemi ekstremisht të shqetësuar për fenomenin!

Shoqata e Siguruesve të Shqipërisë ka reaguar përmes një deklarate për shtyp duke bërë të ditur se janë rritur aksidentet me shkaktarë të paidentifikuar. Nëpërmjet analizimit të të dhënave statistikore ajo pohon se gjatë periudhës 2010-2019 janë konstatuar 309 raste të tilla, ndërkohë që duke filluar nga viti 2013 shifra mesatare vjetore luhatet në kufijtë 45 deri në 50 raste.
Veç të tjerash në këtë deklaratë theksohet se vetëm në muajin Janar janë identifikuar 8 raste aksidentesh ku kanë mbetur të paidentifikuar autorët. Rritja e këtyre aksidenteve ka akumuluar detyrimet e Byrosë Shqiptare të Sigurimeve kundrejt qytetarëve shqiptarë dhe të huaj. Sipas tyre një gjë e tillë rëndon padrejtësisht situatën e Fondit të Kompensimit dhe bilancet financiare të shoqërive të sigurimit, të cilat janë anëtare të Byrosë Shqiptare të Sigurimeve.
“Rritja e numrit të aksidenteve me shkaktarë të paidentifikuar është një nga faktorët kryesorë të akumulimit të detyrimeve të Byrosë Shqiptare të Sigurimeve ndaj qytetarëve shqiptarë e të huaj, shlyerja e të cilave rëndon padrejtësisht situatën e Fondit të Kompensimit dhe bilancet financiare të shoqërive të sigurimit, si anëtare të Byrosë Shqiptare të Sigurimeve. Tregu i sigurimeve ndjehet ekstremisht i shqetësuar për këtë fenomen, pasi në shumicën e rasteve kemi të bëjmë me inskenime të ngjarjeve nga segmente të caktuara të ekspertëve rrugorë, të policisë, të gjykatave, prokurorisë, etj., dhe të nxitura nga interesa të kundraligjshme të disa avokatëve të kësaj fushe” shkruhet në deklaratën e siguruesve.
Së fundmi, Shoqata e Siguruesve të Shqipërisë u bën apel Policisë së Shtetit, Prokurorisë dhe Dhomës Kombëtare të Avokatisë të trajtojnë më zero tolerancë këto raste.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.