Shoqata Shqiptare e Tregtisë Elektronike konfirmon vullnetin për mbrojtjen e bizneseve në industrinë e-commerce!
Shoqata Shqiptare e Tregtisë Elektronike (AECA) përmes një deklarate për shtyp konfirmon vullnetin e saj për mbrojtjen e interesave të bizneseve formale që ushtrojnë aktivitetin në industrinë e-commerce, në përputhje me kuadrin ligjor e rregullativ. Sipas deklaratës ky ka qenë qëllimi kryesor i krijimit të shoqatës në fillim të këtij viti, në mënyrë që të ekzistonte në vend një zë i unifikuar në marrëdhënie me organet shtetërore me qëllim përmirësimin e ambientit të të bërit biznes në tregtinë online në Shqipëri.
AECA konstaton se tregu aktualisht ka probleme të shumta dhe po i krijon vështirësi bizneseve që duan të operojnë në këtë industri por kjo problematikë është komplekse duke përfshirë shumë hallka nga baza rregullative e tatimeve dhe doganave, tek procesi kompleks i fiskalizimit dhe implementimi i tij në terren. ‘Tregtia online është hallka e fundit e procesit të shitjes së produktit dhe problematikat në informalitet vijnë të mbartura nga të gjitha hallkat paraardhëse ndaj për këtë arsye presim nga autoritetet trajtimin me kujdes, në mënyrë të drejtë e të pavarur të problematikës së lindur me subjektet nën këtë proces hetimor specifik,’ shkruhet në deklaratë.
Shoqata Shqiptare e Tregtisë Elekronike (AECA) mirëpret çdo përpjekje institucionale për formalizimin dhe standardizimin e tregut, por gjykon se taktika të tilla sporadike me fushata agresive dhe denigruese nuk ndihmojnë në zgjidhjen e problemit, përkundrazi përkeqësojnë klimën e të bërit biznes në këtë sektor.
‘Në këtë frymë, kërkohet një përkushtim gradual dhe i vazhduar për përmirësimin e klimës së biznesit si një nga format më efektive për luftën kundër evazionit fiskal. Ne besojmë se kjo është e vetmja rrugë për progres afatgjatë, dhe nëse shoqërohet edhe me sensibilizim dhe edukim të konsumatorit, efekti do të ishte edhe më i shpejtë.’
Shoqata AECA informon se është e hapur për të bashkëpunuar me çdo institucion shtetëror për këtë problem dhe mbetet në pritje të krijimit të Grupit të Punës nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë për zhvillimin më tej të sektorit të shitjeve online në Shqipëri.
E . S / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.