“Shpejtësi dhe çmenduri” – Policia Rrugore vendos 150 gjoba dhe arreston 7 persona
Shpejtësia është një nga shkaktarët kryesorë të numrit më të lartë të aksidenteve në vendin tonë. Për të garantuar sigurinë rrugore policia ka ndërmarr një aksion duke penalizuar çdo shkelës të Kodit Rrugor.
Kështu Policia Rrugore e Elbasanit ka vendosur 150 gjoba si dhe ka arrestuar 7 persona për shkelje të rregullave të qarkullimit. Vetëm gjatë orëve të fundit, janë dërguar në OASH, 39 drejtues mjetesh për shpejtësi tej normave të lejuara, për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur si dhe për mos vendosje të rripit të sigurimit.
Nga 150 masa administrative, 24 janë vendosur për mos vendosje të rripit të sigurimit, 56 për përdorim të celularit gjatë drejtimit të mjetit, 12 për shpejtësi tej normave të lejuara si dhe 11 për parakalime të gabuara dhe pjesa tjetër për shkelje të ndryshme.
Policia Rrugore e Elbasanit njofton se do të intensifikojnë kontrollet në të gjitha rrugët urbane e rurale, me qëllim evidentimin e shkelësve të Kodit Rrugor duke marrë masa parandaluese me qëllim rritjen e sigurisë në rrugë.
Entela Barjamaj/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.