Shpenzime për blerje energjie – OSHEE blen 12.7 mln euro, hap dhe tjetër procedurë
Rritja e kërkesës për energji gjatë muajve të dimrit ka vënë në vështirësi Operatorin e Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, që po blen energji për plotësimin e nevojave të abonentëve. Vetëm për muajt nëntor dhe dhjetor OSHEE ka shpenzuar 12.7 milion euro, ndërkohë që ka hapur edhe një procedure tjetër për blerjen e 81.900 MwH, për periudhën 10-16 dhjetor.
Shpenzimet për blerjen e energjisë do të ndikojnë në bilancin e kompanisë, që gjithsesi ka rritur arkëtimet. Sipas të dhënave zyrtare për periudhën janar-tetor arkëtimet përllogariten në 54.97 mld lekë, apo 1.64 mld lekë më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar.
Ndërkaq, thatësira e muajve të fundit nuk po favorizon prodhimin e energjisë ne hidrocentralet e Kaskadës së Drinit, ndërkohë që Korporata Elektroenergjetike Shqiptare po përpiqet të sigurojë të ardhura përmes procedurave të shit-blerjes së energjisë përmes optimizimit të portofolit. Kryerja e kësaj procedure synon përfitimin nga diferenca e çmimit të shitjes me atë të blerjes, që do të thotë se e njëjta sasi energjie do të blihet dhe shitet në profile të ndryshme orare.
Ola Mitre/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.