Shpenzimet nga “xhepi”, 5142 familje shpenzojnë 40% të buxhetit të tyre për shëndetin
Pacientët shqiptarë që pas viteve ’90 janë të parët në rajon dhe Europë për shpenzimet nga xhepi. Edhe pse nga viti në vit është premtuar për shendëtësi falas, shqiptarët ende vazhdojnë që të paguajnë për të marrë një shërbim shëndetsëor.
Në vitin 2015 kemi një përmirësim të raportit midis shpenzimeve publike dhe private 55% -45% nga 48%-52% që ishte në vitin 2013. Aktualisht shpenzimet publike për shëndetësinë kanë arritur në 2.8% të PBB dhe kanë tendencë rritjeje.
Qeveria eshte e angazhuar të rrisë financimin në shëndetësi, duke rritur financimet publike deri në masën 4% të PBB në 2025, si dhe uljen e pagesave nga xhepi deri në 30%.
Ulja e shpenzimeve nga xhepi është e lidhur ngushtë me përpjekjet e Qeverisë për të penguar rënien e familjeve në varfëri për shkak të kostos së papërballueshme të shpenzimeve për shëndetin.
Ministria e Shëndetësisë po zbaton për herë të parë referimin ndaj Shpenzimeve Shëndetësore Katastrofike , si një tregues i shmangies së rënies së popullatës në varfëri për shkak të shpenzimeve shëndetësore.
Shpenzimet për shëndetësinë konsiderohen katastrofike nëse arrijnë në të paktën 40% të shpenzimeve të familjes, që mbeten pas zbritjes së shpenzimeve për ushqim. Sipas INSTAT-it, aktualisht në këtë gjendje janë 5,142 familje ose rreth 0.5% e familjeve shqiptare.
Entela Barjamaj/ SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.