Shpenzimet për celularin – Ishin mesatarisht 650 lekë në muaj për vitin e kaluar

Çdo përdorues i telefonisë celulare në Shqipëri shpenzoi mesatarisht rreth 7800 lekë vitin e kaluar. Të dhënat nga Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) tregojnë se shpenzimi mesatar për telefonin celular u rrit me 27% krahasuar me vitin 2017.
Ky tregues llogaritet duke pjesëtuar të ardhurat totale nga shërbimet me pakicë të operatorëve celularë me numrin e abonentëve aktivë, si edhe duke përfshirë edhe tatimin mbi vlerën e shtuar. Rritja e shpenzimit mesatar për përdorues erdhi kryesisht nga ulja me 25% e numrit të abonentëve aktivë gjatë vitit të kaluar. Në fakt, sipas mënyrës së matjes së aplikuar nga AKEP, numri i abonentëve aktivë nënkupton në fakt numrat celularë aktivë.
Rënia e tyre gjatë viteve të fundit nënkupton heqjen dorë të abonentëve shqiptarë nga përdorimi i disa numrave celularë. Kjo tendencë nisi pas vendimit të AKEP për të mos lejuar diferencim të tarifave brenda rrjetit me ato jashtë rrjetit. Në këto kushte, përdoruesit nuk kishin më nevojë të mbanin numra të operatorëve të ndryshëm, për të kryer thirrje brenda secilit rrjet.
Kjo ka sjellë një përqendrim të shpenzimeve dhe rritje të të ardhurave mesatare për përdorues në dy vitet e fundit. Mbështetur në të dhënat e vitit 2018, mund të thuhet se çdo përdorues i telefonisë celulare shpenzon mesatarisht rreth 650 lekë në muaj. Ndërkohë, tarifa mesatare e paguar nga shqiptarët vitin e kaluar llogaritet afërisht në 3.5 lekë për minutë, në rritje me 11% krahasuar me vitin 2017.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.