Shpërblimet e fundvitit – Veliaj: Do e marrin të gjithë punonjësit e bashkisë

Të gjithë punonjësit e Bashkisë së Tiranës do të përfitojnë shpërblim për festat e fundvitit. Lajmi është dhënë nga kryebashkiaku, Erion Veliaj, i cili shtoi se kjo është një mënyrë për të vlerësuar punën e tyre.
“Edhe këtë fundvit do të japim një shpërblim për të gjithë punonjësit tanë të Bashkisë së Tiranës, sidomos ata të emergjencave, jo se paratë bëjnë diferencën, por për të treguar se për ne sakrifica njerëzore është po aq e dobishme, në mos më e dobishme se sa infrastruktura”, tha Veliaj.
Deklarata e kryebashkiakut u bë gjatë përurimit të sallës së re operative të shërbimit të emergjencave dhe të një autoambulance me pajisje të teknologjisë së fundit, në mbështetje të sistemit dhe shërbimit të urgjencës mjekësore, që do të shërbejnë 24 orë në 7 ditë të javës në qytetin e Tiranës.
“Respekt për ata që shërbejnë, një pakicë e shoqërisë që del nga rehatia e vet për të sakrifikuar për të tjerët. Unë besoj që kemi nevojë për këtë kulturë në kombin tonë. Është shtuar respekti për uniformën e policisë, për punën e zjarrfikësit, për bluzën e bardhë të mjekut, por ende nuk jemi aty ku duhet”, u shpreh kryebashkiaku.
Ola Mitre/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.