Shpërndarja e energjisë – OSHEE kërkon rritje të tarifës për bizneset në 35 KV

Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike kërkon rritjen e tarifës së shpërndarjes për ato biznese që shfrytëzojnë rrjetin e tij të shpërndarjes, pavarësisht se e sigurojnë energjinë elektrike nga furnizues privatë.
Tashmë OSHEE ka depozituar kërkesën pranë Entit Rregullator të Energjisë, duke propozuar një tarifë prej 2.38 lekë për kilovat orë, nga 1.5 lekë/kilovat orë që është aktualisht.
Nga ky ndryshim preken të gjithë ato biznese, që janë të lidhur me tensionin 35 kilovolt e që referuar legjislacionit në fuqi prej 1 janarit 2018 do të duhet të sigurojnë vetë energjinë elektrike.
Sipas të dhënave zyrtare janë 75 biznese, që dalin në treg të lirë e me një konsum mesatar vjetor prej 50 mijë mwh apo 0.8% të konsumit total të energjisë elektrike në vend.
Ndërkaq, përmes një vendim, që mban datën 28 dhjetor ERE ka vendosur të fillojë procedurën për shqyrtimin e aplikimit te OSHEE sh.a. për përcaktimin e tarifave të shërbimit të shpërndarjes së energjisë elektrike për nivele tensioni për vitin 2018.
Megjithatë, do të nevojitet vendimi përfundimtar i Entit për të përcaktuar nëse do të kemi një ndryshim të tarifës apo jo.
Ola Mitre/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.