Shpëtimi i Monte dei Paschi në Itali – Reuters: Negociatat mes qeverisë dhe UniCredit, pranë dështimit
Qeveria e Italisë dhe UniCredit po përgatiten të anullojnë negocaitat mbi shitjen e bankës me probleme Monte dei Paschi, pasi përpjekjet për të arritur një marrëveshje mbi një plan të kushtueshëm të rikapitalizimit dështuan, sipas burimeve për Reuters. Vendimi do vështirësojë përpjekjet e qeverisë së kryeministrit Mario Draghi për të arritur afatin e mesit të vitit 2022 të rënë dakord me autoritetet e Bashkimit Europian, për të ri-privatizuar bankën që Roma shpëtoi në vitin 2017.
Italia ka parë prej kohësh si zgjidhjen më të mirë shkrirjen me një homolog më të fortë për bankën e Toskanës, që ka plane për të injektuar 2.5 miliardë euro në kapital në vitin e ardhshëm. Megjithatë, burimet thanë se kushtet e shitjes së mundshme të rënë dakord nga UniCredit dhe Thesari i Italisë, kur hynë në negociata ekskluzive më 29 Korrik, e kanë bërë planin e shkrirjes shumë të shtrenjtë.
Një paketë e rikapitalizimit me vlerë mbi 7 miliardë euro është dukur shumë “ndëshkuese” për taksapaguesit italianë, pasi paguan 5.4 miliardë euro për të shpëtuar bankën 4 vite më parë. Roma do të duhet tashmë të fitojë miratim nga Brukseli që të injektojë më shumë para tek Monte dei Paschi, pa një plan në tryezë për të shkurtuar zotërimin prej 64% të shtetit. UniCredit kishte nisur diskutimet e një blerjeje të mundshme të bankës nën ekzekutivin e mëparshëm Jean Pierre Mustier.
Por me pasardhësin Andrea Orcel, që mori detyrën në Prill, marrëveshja u shënjestrua tek pjesët më të përfitueshme të bankës. UniCredit kishte thënë se kërkonte vetëm degët e Monte Dei Paschi në rajonet e pasura të veriut dhe se nuk do merret kredi të këqija apo rreziqe si pasojë e keq menaxhimit.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.