Shpresa për paqe mes Koreve – Fjalimi i Kim Jong Un: Koha që dy vendet të përmirësojnë marrëdhëniet dhe të hapen

Në fjalimin e përvitshëm të Vitit të Ri, lideri koreano-verior Kim Jong Un ka folur për mundësinë e paqes mes dy Koreve dhe ka bërë apel për nisjen urgjente të bisedimeve. Gjithçka duket se merr shkas nga Lojërat Olimpike Dimërore që nisin muajin tjetër në Pyeongchang në Korenë e Jugut.
“Ne shpresojmë që lojërat të jenë një sukses”, tha Kim duke shtuar se dy vendet duhet të kërkojnë t’i zgjidhin problemet me njëra-tjetrën e jo të kërkojnë ndihmë nga jashtë rajonit.
“Ka ardhur koha që Veriu dhe Jugu të ulen bashkë dhe të bisedojnë seriozisht se si mund të përmirësojmë marrëdhëniet ndërkoreane mes vetes dhe të hapemi dramatikisht”, tha të hënën lideri i Koresë së Veriut.
Duke vijuar me temën e lojërave olimpike, Kom tha se ishte i gatshëm të merrte masat e nevojshme duke dërguar delegacionin në vendin fqinj dhe për këtë arsye vendet duhet të takohen urgjentisht.
Komentet u mirëpritën nga presidenti i Koresë së Jugut Moon Jae-in, i cili përsëriti se vendi i tij është i gatshëm për bisedime pa kushte.
“Shtëpia Blu do të bashkëpunojë ngushtësisht me komunitetin ndërkombëtar për të adresuar çështjen bërthamore të Koresë së Veriut në një mënyrë paqësore, duke biseduar me Veriun për gjetjen e një zgjidhjeje që do të ulte tensionin në Gadishullin Korean dhe do të sillte paqe”, tha zëdhënësi i presidentit.
Deklaratat e të dyja palëve ngrenë shpresat për paqe, pas muajsh të tërë të tensionuar. Megjithatë analistët besojnë se nëse do të nisin, bisedimet do të jenë të vështira për shkak të sanksioneve të vendosura së fundmi nga OKB, të cilat janë mbështetur edhe nga Koreja e Jugut.
A.H./SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.