Rihapet Kanali i Suezit / Anija prej 400 metra është zhvendosur pas 5 ditë punë
Një anije gjigante e kontejnerëve që ka bllokuar kanalin e Suezit në Egjipt për thuajse 1 Javë ka lëvizur pjesërisht, sipas Autoritetit të Kanalit të Suezit, çka rriti shpresat që kanali të rihapet së shpejti. Anija “Ever Given” 400 metra e gjatë ka ngecur në mënyrë diagonale përmes pjesës jugore të kanalit që prej të Martës së kaluar, për shkak të erës së fortë, duke ndaluar trafikun e dërgesave në itinerarin më të shkurtër të anijeve mes Evropës dhe Azisë.
Pas pastrimit dhe gërmimit nën ujë gjatë fundjavës, punëtorë nga Autoriteti i Kanalit të Suezit (SCA) dhe një ekip nga firma holandeze “Smit Salvage”, kanë punuar për të zhbllokuar anijen. Autoriteti deklaroi se anija “Ever Given” është drejtuar në kanal. Më pas operacione të tjera rinisën pasi erdhi batica. Trafiku detar përmes kanalit do të rinisë pasi anija të drejtohet në zonën e liqeneve, një seksion më i gjerë i kanalit. Të paktën 369 mjete lundruese kanë pritur të kalojnë kanalin, përfshirë dhjetëra anije me kontejnerë, transportues të lëndëve të para, anije cisternë dhe mbajtës të gazit të lëngshëm natyror, sipas ekzekutivit të agjencisë qeveritare (SCA), Osama Rabie. “Nuk do të humbasim asnjë sekond”- shtoi ai.
Kompania holandeze që po punon me zhbllokimin deklaroi se anija po lëviz. Ujë me presion të lartë duhet të futet në pjesën e përparme të anijes për të hequr rërën.
Klevis Llaha – SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.