Shpronësimet për inceneratorin – Qeveria miraton listën, vlera totale për pronarët, 285 mln lekë
Rreth 285 milion lekë është vlera e shpronësimeve për të gjithë pronarët që preken nga projekti për ndërtimin e inceneratorit të Tiranës.
Këshilli i Ministrave ka miratuar listën me pronarët e pasurive të paluajtshme, që zotërojnë prona në zonën ku do të ndërtohet impianti i djegies së mbetjeve, ndërkohë që tashmë vendimi është publikuar në Fletoren Zyrtare, duke i hapur rrugën zbatimit të tij.
Referuar dokumentin, pronarët që e gjejnë emrin në këtë listë duhet të paraqesin dokumentacionin e plotë që vërteton titullin e pronësisë, në mënyrë që të përfitojnë shumën e përcaktuar.
Çmimi me të cilin do të paguhen pronarët që kanë në zotërim tokë truall apo tokë arrë është 448 lekë/m2, ndonëse ai është kundërshtuar nga pronarët gjatë një dëgjese publike të zhvilluar nga kompania koncesionare në shtator të vitit 2018.
Sipas kontratës të nënshkruar në gusht të vitit 2017, impianti për djegien e mbetjeve do të financohet me skemën e një koncesioni për 30 vjet me vlerën 122 milionë Euro dhe do të ketë një kapacitet mbetjesh prej 920 ton/ditë apo 331,200 ton/vit.
Gjithashtu, kontrata parashikon që për çdo ton mbetje të depozituar për djegie, Bashkia e Tiranës duhet t’i paguajë koncesionarit 29 euro, pagesë që në vitet në vijim do të duhet të indeksohet me inflacionin, por që në asnjë rast nuk mund të bjerë nën këtë vlerë
Ola Mitre/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.