Shqetësimet për recesion, bien çmimet e naftës – Investitorët, të shqetësuar për zgjerimin e bllokimeve COVID-19 në Pekin

Çmimet e naftës ranë me më shumë se 1 dollar të martën pasi shqetësimet për një recesion të mundshëm dhe frenimet e Kinës për COVID-19 tejkaluan pritjet për furnizim të pakët global dhe një rritje të kërkesës për karburant me sezonin veror të pushimeve në SHBA. Kontratat e së ardhmes së naftës Brent të Londrës për korrikun ranë 1,34 dollarë, në 112,08 dollarë për fuçi, ndërsa kontratat e naftës së papërpunuar të Teksasit Perëndimor ranë 1,28 dollarë, në 109,01 dollarë për fuçi.
Kërcënimet e shumëfishta për ekonominë globale dolën në krye të shqetësimeve të të gjithë botës në samitin vjetor ekonomik të Davosit, me disa ekspertë që flasin për rrezikun e një recesioni mbarëbotëror. Drejtoresha Menaxheriale e Fondit Monetar Ndërkombëtar, Kristalina Georgieva, tha se nuk priste një recesion për ekonomitë e mëdha, por nuk mund të përjashtonte një të tillë.
Ndërsa Shangai, qendra më e madhe tregtare e Kinës, synon të normalizojë jetën nga 1 qershori pasi numri i rasteve të koronavirusit po bie, një rritje e rasteve të reja me COVID-19 në Pekin ka ngritur shqetësime për kufizime të mëtejshme.
Kryeqyteti kinez zbuloi 99 raste të reja të dielën, nga 61 një ditë më parë, raporti më i madh ditor deri më tani gjatë një shpërthimi njëmujor që ka parë vazhdimisht dhjetëra infeksione të reja çdo ditë. Sipas analistëve të tregut, bllokimet e Kinës për COVID-19 po luajnë një rol thelbësor që rëndon në perspektivën e kërkesës për karburant dhe energji, me Pekinin që raporton rritje të rasteve pozitive, duke i bërë investitorët të shqetësuar për zgjerimin e bllokimeve në një qendër tjetër biznesi përveç Shangait.
Humbjet u kufizuan nga pritshmëritë se kërkesa për benzinë do të mbetej e lartë mes furnizimeve të pakta. Shtetet e Bashkuara do të hyjnë në sezonin e tyre të pikut të pushimeve duke filluar në fundjavën e Ditës së Përkujtimit në fund të kësaj jave.
Bota po përballet me një krizë të furnizimit me naftë, me shumicën e kompanive që kanë frikë të investojnë në këtë sektor pasi përballen me presione të energjisë së gjelbër, tha kreu i Saudi Aramco për Reuters, duke shtuar se nuk mund të zgjerojë kapacitetin e prodhimit më shpejt se sa ishte premtuar.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.