Shqetësohen zyrtarët e BE-së: Deficiti i vitit 2019 i Italisë mund të rezultojë më i lartë nga sa është parashikuar
Zyrtarët e Bashkimit Europian kanë nisur të shqetësohen se borxhi i Italisë prej 2.4 për qind e PBB-së për 2019, që shihet si tepër i lartë, mund të jetë edhe më i lartë, pasi masat për nxitjen e deficitit në projektbuxhet nuk janë detajuar ende mirë.
Qeveria populiste e Italisë do të paraqesë të hënën buxhetin e vitit 2019 në Bruksel për të kontrolluar nëse është në përputhje me rregullat e BE-së.
Sipas FMN-së, krahas respektimit të rregullave të bllokut, vendi duhet të përmirësojë financat publike nëse dëshiron të krijojë një hapësirë për të liruar politikën fiskale gjatë rënies ekonomike të ardhshme.
“Ne nuk e dimë nëse deficiti do të përfundojë në 2.4 vitin e ardhshëm ose ndoshta më shumë. Masat nuk janë të specifikuara në detaje të mjaftueshme për të vërtetuar këtë dhe hendeku mund të dalë më i madh në fund edhe sepse rritja mund të jetë më e ngadalshme”, tha një zyrtar i lartë i bllokut.
Vëzhgimi i BE-së vjen në mes të shqetësimeve të tregut mbi planet e huamarrjes së Italisë. Këto të fundit trefishojnë madhësinë e hendekut të planifikuar nga administratat e mëparshme italiane, duke i dhënë më shumë rëndësi financave publike tashmë të fryra të vendit, në një kohë kur raporti i borxhit ndaj PBB është i dyti më i lartë në Europë në 133 për qind.
Por parashikimi i rritjes ekonomike prej 1.4 për qind nga qeveria italiane për vitin e ardhshëm dhe 1.5 i parë në 2020 tashmë është deklaruar si tepër optimist nga Bordi Fiskal italian, një organ i pavarur i krijuar për të kontrolluar ‘supozimet’ e buxhetit.
G.D/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.