Shqetëson “recesioni tregtar” – Tregtia kineze prek fundin. Bie kërkesa brenda dhe jashtë vendit
Eksportet e Kinës kanë ranë në nivelin më të ulët në 3 vite për Shkurtin, duke treguar për një ngadalësim të mëtejshëm të ekonomisë së dytë më të madhe në botë dhe rritur shqetësimet për një “recesion tregtar”.
Tregjet e kapitalit në Azi dhe SHBA ranë pas publikimit të të dhënave, ndërsa bursat kineze humbën më shumë se 4%, që është dita më e keqe tregtare në 4 muaj. Investitorët botërorë dhe partnerët kryesor tregtar të Kinës po monitorojnë reagimin politik të Pekinit, ndërkohë që ekonomia ka prekur nivelin më të ulët në 30 vite. Eksportet kineze ranë me 20.7% në muajin Shkurt, që është rënia më e madhe që prej fillimit të 2016-ës.
Importet ranë me 5.2% me bazë vjetore, kryesisht prej kërkesës më të ulët për lëndë të para. Kjo bëri që vendi të rezultojë me një suficit tregtar prej 4.12 miliardë dollarë për muajin. Analistët kanë paralajmëruar se të dhënat kineze për dy muajt e parë të vitit duhet të vëzhgohen me kujdes për shkak të ndërprerjes së bizneseve gjatë pushimeve të Vitit të Ri hënor. Megjithatë, sondazhet drejt fabrikave në fillim të vitit, tregonin për një ngadalësim të porosive brenda dhe jashtë vendit. Të dhënat e dobëta për tregtinë vijnë në një kohë të negociatave mes Washingtonit dhe Pekinit, që synojnë përfundimin e përplasjeve tregtare.
Suficiti tregtar me SHBA, u tkurr në 14.7 miliardë dollarë në Shkurt, nga 27.3 miliardë në Janar. Kina ka premtuar se do të blejë më shumë produkte amerikane të bujqësisë. Presidenti i Shteteve të Bashkuara ka shtyrë vendosjen e tarifave ndaj importeve kineze në fillim të muajit Mars, duke thënë se bisedimet kanë bërë progres.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.