Shqipëri-BE, kuota e eurodeputetëve?

Parlamenti Europian është institucioni legjislativ i Bashkimit Europian, i përbërë nga 751 deputetë nga 28 vende anëtare.
Eurodeputetët zgjidhen direkt çdo pesë vjet dhe zgjedhjet e ardhshme janë në vitin 2019.
Në rast të një anëtarësimi në BE, Shqipërisë i takon të zgjedhë një numër anëtarësh parlamenti në raport me popullsinë.
Nëse do të përdorim formulën që zbaton Parlamenti Europian, për ndarjen e 751 ndenjëseve në parlament, Shqipërisë mund t’i takojnë 11 deputetë; numër i njëjtë me Lituaninë, e cila ka afërsisht 2 milion e 800 mijë banorë.
Shtetet e mëdha dhe të mesme do të duhet të heqin dorë nga 1 deputet, për të bërë vend për Shqipërinë. E njëjta gjë ndodhi me anëtarësimin e Kroacisë në vitin 2014.
Ndryshimet Kushtetuese
Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë është ndryshuar tashmë për të pritur zgjedhjet e anëtarëve në Parlamentin Europian, me ndryshimet kushtetuese të 22 Korrikut 2016.
Në nenin 64 të Kushtetutës, paragrafi 4 shkruan:
“Shtetasit shqiptarë. me anëtarësimin e Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Evropian, kanë të drejtë të zgjedhin drejtpërdrejt përfaqësuesit e tyre në Parlamentin Europian, sipas procedurës së parashikuar në ligj”
Sistemi i votimit nuk është uniform dhe çdo shtet anëtar është i lirë të zgjedhë sistemin e tij, me disa kushte.
Sistemi duhet të jetë një formë përfaqësimi proporcional, qoftë nga listat e partive, qoftë nga sistemi preferencial ku mund të zgjedhësh dy ose më shumë kandidatë.
Ndërkohë, zonat elektorale mund të ndahen, me kushtin që nuk ndikojnë në natyrën proporcionale të sistemit, psh: Korça nuk mund të ketë të njëjtin numër eurodeputetësh me Tiranën.
Shumica e shteteve të unionit përdorin të njëjtin sistem elektoral si në Shqipëri me lista partiake.
Ndërkohë në zgjedhjet parlamentare europiane do të mund të votojnë e të zgjidhen edhe ata qytetarë europianë të cilët jetojnë në vendin tonë, shprehur edhe në nenin 109 të Kushtetutës.
Eurodeputeti
“Lufta” për ndenjëset në PE, teorikisht do të jetë më e fortë si pasojë e vlerës ligjvënëse që ka institucioni europian dhe shpërblimit ekonomik më të lartë. Eurodeputetët shqiptarë do të paguhen rreth 8 mijë euro në muaj, ose gati 700% më tepër se deputetët e kuvendit.
Këta 11 eurodeputetë do të gëzojnë të njëjtin imunitet në vend ashtu si edhe deputetët e e tjerë. Konfliktet e tyre të interesit dhe interesat financiare të tyre do të vetëdeklarohen dhe do të jenë të disponueshme në internet.
Në rast të zgjedhjes së deputetëve nga lista e PS-së, eurodeputetët do t’i takonin grupimit të Aleancës Progresive të Socialistëve dhe Demokratëve, ndërsa deputetët nga lista e PD-së do t’i takonin grupimit parlamentar të Partive Popullore Europiane.
Eurodeputeti do të duhet të qëndrojë së paku një javë në muaj në Strasburg. Nga ana tjetër, eurodeputetët shqiptarë do të ishin pjesë e komisioneve të PE-së, me të drejtë vote për çështje që i përkasin unionit.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.