Shqipëri – Kosovë, protokoll bashkëpunimi për sezonin turistik veror, diskutim edhe çështja e patentave
Një protokoll bashkëpunimi për sezonin turistik veror është nënshkruar sot në ambientet e Ministrisë së Brendshme, nga ministri Xhafaj dhe homologu kosovar Bejtush Gashi.
Protokolli ka qëllim intensifikimin e mëtejshëm të marrëdhënieve për të forcuar bashkëpunimin midis policive të dy vendeve, nëpërmjet planifikimit dhe zbatimit të masave të përbashkëta në fushën e kontrollit kufitar.
Ai do të kryhet sipas drejtimit të lëvizjes së qytetarëve dhe mjeteve, ku punonjësi i Policisë shqiptare kryen regjistrimin në dalje të territorit të Republikës së Shqipërisë dhe punonjësi i Policisë kosovare kryen regjistrimin në hyrje të territorit të Republikës së Kosovës.
Procedurat e përbashkëta mund të ndryshojnë ndërmjet negociatave dhe me miratim të ndërsjelltë. Gjatë zbatimit të këtyre procedurave të kontrollit të përbashkët, do të mbahet lista e përpunimit të automjeteve me procedurë të lehtësuar.
Ministri i Republikës së Kosovës trajtoi një shqetësim që ka të bëjë lidhur me sigurinë rrugore të shtetasve kosovarë gjatë sezonit veror dhe posaçërisht lidhur me patentat, me mënyrën se si trajtohen rastet e menaxhimit të këtyre patentave kur krijohen probleme për shkak të mosrespektimit të rregullave.
“Duhet një procedurë e gjatë për t’i kthyer ose për t’ua ridhënë në përdorim patent-mbajtësve përmes një burokracie shumë të gjatë, që kemi aktualisht. Unë e mirëkuptoj Ministrin e Republikës së Kosovës në shqetësimin që trajtoi. I bëra me dije faktin se është propozuar nga deputetët e Kuvendit, nga deputeti Ndreu, një amendim i Kodit Rrugor që do ta lehtësonte së tepërmi. Dhe ne shpresojmë se në seancën e fundit të Parlamentit, që është ditën e hënë, të mund të miratohet ky amendament, që do të ishte një kontribut shumë i çmuar në këtë aspekt dhe një lehtësi për të gjithë ata që përdorin rrugët kombëtare të Republikës së Shqipërisë”, deklaroi Xhafaj.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.