Shqipëri-Serbi-M.Veriut, pa kufij – Liderët takohen në Tetor, propozojnë heqjen e barrierave doganore dhe kufitare
Alexandar Vucic, Zoran Zaev dhe kryeministri Shqiptar, Edi Rama, do të takohen në muajin Tetor për të diskutuar mundësinë e heqjes së barrierave doganore dhe atyre kufitare mes njëra tjetrës. Këtë gjë e sinjalizoi kryeministri Rama nga New Yorku, ndërkohë që është ministrja serbe e infrastrukturës, Zorana Mihajlovic ajo që hedh më shumë dritë mbi një propozim të tillë.
Ky propozim ka si qëllim të nxisë investimet nga kompanitë globale në rajon, deklaroi ajo. “Ajo që secili ndër ne duhet të bëjë, është që të heqë të gjitha barrierat doganore dhe kufitare për transportin e të mirave dhe shërbimeve, mes Serbisë, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, dhe për këtë mund të mbështetemi te asistenca e Komunitetit të Transprotit, që së fundmi ka hapur zyrat në Beograd”—nënvizoi Mihajlovic.
Ndër të tjera, ajo shtoi se vendet e Ballkanit Perëndimor kanë nevojë për një politikë infrastrukturore të harmonizuar dhe se hapi i parë drejt kësaj do të ishte formimi i një rrjeti rajonal për të karikuar makinat elektrike, pasi teknologjia është e ardhmja. Kryeministri shqiptar ndërkohë duke folur në një intervistë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për këtë ide, tha se, treshja do të takohet për të diskutuar për të, dhe se kjo s`do të thotë se vendet e tjera të rajonit janë të përjashtuar, përkundrazi, mund t`iu bashkohen.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.