Shqipëria, $3.22 për një gigabyte – Vendi më i lirë në rajon dhe i 68-ti në botë ndër 230 shtete

Shqipëria është vendi i 68-të në botë, ndër 230 shtete të ndryshme të globit, sa i përket çmimit të një gigabyte internet të telefonisë lëvizëse. Vendi i parë i listës i referohet çmimit më të ulët dhe vendi i fundit çmimit më të lartë.
Të dhënat e një studimi të fundit të “Cable.co.uk”, e specializuar në këtë fushë, tregojnë se në Shqipëri, çmimi mesatar i një gigabyte internet në celular fiksohet në 3.22 dollarë.
Ky çmim e bën Shqipërinë vendin më të lirë në rajon. Çmimi më i lirë për një gigabyte fiksohet në 0.68 dollarë dhe çmimi më i shtrenjtë në 13.18 dollarë.
Të dhënat tregojnë se Shqipëria është vendi i 14-të në Europë sa i përket çmimit më të lirë të 1 gigabyte internet në celular. Harta, me ngjyrën e hapur që tregon çmim të ulët dhe atë të errët çmim të kripur, e ilustron më së miri diçka të tillë.
Të dhënat janë matur në fund të vitit të kaluar, ndërkohë që në analizë janë marrë 33 plane të ndryshme të dhënash, nga të gjitha kompanitë që operojnë në tregun vendas, për të nxjerrë më pas një mesatare të të gjitha këtyre planeve.
Vendi më i lirë në botë është India me 0.26 dollarë mesatarisht për një gb internet, ndërkohë që në vend të fundit renditet Zimbabve me 75.20 dollarë për një gigabyte të dhëna.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.