Shqipëria, 650 mln euro hua në Qershor – Eurobondi/ COVID rrit interesat, përjashtohen nga tatimi transaksionet
Shqipëria pritet të dalë në tregun ndërkombëtar përmes emetimit të një Eurobondi të ri brenda muajit Qershor. Eurobondi është parashikuar të arrijë një vlerë prej 650 milionë euro dhe me maturim 7 deri 10 vite dhe do të shërbejë për të shlyer eurobondin e marrë në vitin 2015 si dhe për të plotësuar nevojat për financim për vitin 2020.
Për ti hapur rrugë këtij procesi, qeveria ka depozituar në për diskutim me procedurë të përshpejtuar në komisonet parlamentare, një projektligj që synon miratimin e përjashtimeve nga tatimi mbi të ardhurat, tatimi mbi vlerën e shtuar dhe çdo tatim tjetër në Republikën e Shqipërisë për çdo transaksion dhe për të gjitha veprimtaritë që lidhen me emetimin, mbajtjen, ruajtjen dhe tregtimin e eurobondit, duke përfshirë në këtë përjashtim mbajtësit e titujve eurobond, si dhe menaxherët bashkëdrejtues.
Po ashtu, parashikohet që marrëveshjet që do të lidhen nga ministri i Financave dhe Ekonomisë për emetimin e instrumentit “Eurobond” në formën thelbësisht sipas teksteve që i bashkëlidhen projektligjit, lejohen ndër të tjera parashikimet për heqjen dorë nga imuniteti. Projektligji përmban gjithashtu një nen të tretë, sipas të cilit procesi do të ndiqet deri në daljen e eurobondit në tregjet ndërkombëtare nga ministri i Financave dhe Ekonomisë dhe ministri i Shtetit për Rindërtimin.
Megjithëse qeveria synon që të arrijë të marrë hua me interesa më të favorshme se eurobondi i vitit të kaluar, sipas relacionit, duket se tregjet financiare janë ndikuar shumë nga situata e COVID-19, gjë që vërehet dukshëm në rënien e ndjeshme të indekseve sa i takon tregjeve të kapitalit apo në rritjen e normave të interesit sa i takon instrumenteve të borxhit. Çka do të thotë se normat e interesit që mund të përfitohen janë të paktën +2 % më të larta.
Elisabeta Dosku / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.