Shqipëria, çmime konkurruese – Eurostat: Më e lira në Europë për restorante dhe hotele

Shqipëria është vendi i dytë më i lirë në Europë për mallrat e konsumit dhe shërbimet kryesore për familjarët, tregojnë të dhënat e fundit të Eurostat.
Zyra e statistikave të Bashkimit Europian merr në analizë 28 vendet e Bashkimit Europian, ato të Eftas, dhe vendet kandidate, në total 37 vende. Të dhënat i referohen vitit të kaluar, dhe çmimet i referohen 6 kategorive të ndryshme.
Në një prej tyre, restorantet dhe hotelet, vendi ynë është më i liri në Europë, duke i`a kaluar madje edhe Maqedonisë, që në total, pra në të gjashta kategoritë, rezulton të jetë vendi më pak i shtrenjtë i Europës.
Në total, çmimet në Shqipëri për këto 6 kategori janë sa 49% e mesatares europiane, pra thuajse sa gjysma e çmimeve në Europë. Për restorantet dhe hotelet, në Shqipëri çmimet janë 60% më të lira se në Europë dhe rajon.
Në dy kategori ndërkohë, për veshjet dhe pajisjet elektronike të konsumit Shqipëria ofron çmime thuajse të njëjta me mesataren e 28-tëshes europiane.
Madje, për këtë të fundit, pra pajisjet elektronike të konsumit, në Shqipëri çmimet janë edhe më të shtrenjta se në Europë. Për veshjet ndërkohë, Shqipëria është vetëm 4% më e lirë se Bashkimi Europian.
Sa i përket pijeve alkoolike dhe cigareve, çmimet në Shqipëri janë të barabarta me 53% të mesatares së Bashkimit Europian.
Për ushqimet dhe pijet jo-alkoolike norma ngjitet në 72%, ndërkohë që për pajisjet e transportit personal, në 81%, vetëm 1% më i shtrenjtë se vendi më i lirë i Europës, Sllovakia.
Në total, pra në të 6-ta kategorikë, Zvicra është vendi më i shtrenjtë, me çmimet që janë të barabarta me 161% të mesatares europiane.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.