Shqipëria do të presë mbledhjen e radhës të projektit të gazsjellësit Adriatiko-Jonian

Mbledhja e ardhshme e Njësisë së manaxhimit të projektit për gazsjellësin Adriatiko-Jonian do të zhvillohet në Tiranë më datën 8 Shtator. Njoftimi vjen nga Zarko Djuranovic, drejtor i departamentit të energjisë dhe konsultimeve pranë kompanisë malazeze Bonus.
Kjo kompani është pikërisht një nga pjesëmarrësit në njësinë e manaxhimit të projektit.
Në gushtin e vitit të shkuar, ministritë e Energjisë të Shqipërisë, Bosnjes, Kroacisë dhe Malit të Zi nënshkruan një memorandum mirëkuptimi. Së bashku me operatorët e transmetimit të fazit për çdo vend u krijuar edhe kjo njësi, e cila synon të përcaktojë hapat e nevojshëm për lehtësimin e zhvillimit dhe zbatimit të projektit IAP.
Gazsjellësi i propozuar IAP do të nisë nga Shqipëria duke u lidhur me TAP, do të kalojë në Mal të Zi, Bosnje dhe do të përfundojë në Split të Krocisë.
“Njësia e Manaxhimit të Projektit promovon IAP dhe shfrytëzon çdo mundësi për të paraqitur rëndësinë e tij tek palët e interesuara, vendimmarrësit brenda komunitetit ndërkombëtar dhe tek investitorët e partnerët potencialë”, tha Djuranovic.
Mbledhjet e njësisë ndiqen edhe nga Komuniteti i Energjisë dhe SOCAR, kompania shtetërore e naftës e Azerbajxhanit. Shtetet kanë secila nga dy anëtarë në këtë njësi, ndërsa sekretariati i përgjithshëm mbahen nga Ministria e Ekonomisë e Malit të Zi.
Angelo Haruni/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.