Shqipëria drejt barazisë gjinore/Raporti i WEF: Të parët në rajon, progres i ndjeshëm në barazinë ekonomike
Shqipëria është një ndër vendet më të barabarta në botë mes meshkujve dhe femrave. Këtë e thotë Forumi Ekonomik Botëror. Në raportin më të fundit të Indeksit Global të Hendekut Gjinor, Shqipëria renditet e 34-ta ndër 149 ekonomi, nga vendi i 38-të i vitit të kaluar.
Pra, kemi të bëjmë me një përmirësim me 4 pozicione në renditjen e përgjithshme. Në indeksin e përgjithshëm, pikëzimi i Shqipërisë sinjalizon një nivel barazie gjinore në 73%, ndërkohë që vendi i parë në listë, Islanda e ka në 85%, dhe vendi i fundit, Yemeni, në 49%. Në vitin 2006 ndërkohë, Shqipëria renditej e 61-ta në botë me një nivel barazie në 66%.
Në krahasim me vendet e tjera të rajonit, Shqipëria është e para. Ndërkohë, progresi më i madh nga viti i kaluar është shënuar në drejtim të barazisë ekonomike dhe shanseve. Në raportin e 2017-ës, Shqipëria renditej e 70-ta në botë, ndërsa në raportin e ri është ngjitur në vendin e 54-ët. Në këtë drejtim, Shqipëria mban po ashtu vendin e parë në rajon.
Pikërisht falë përmirësimit në këtë indikator vjen edhe ngjitja në klasifikimin e përgjithshëm, pasi në tre shtyllat e tjera vendi ynë ka bërë hapa prapa. Ka përkeqësim të ndjeshëm, me 11 pozicione në drejtim të shëndetit dhe mbijetesës, si dhe rënie më të vogël në drejtim të fuqizimit politik si dhe të arsimit.
Në profilin dedikuar posaçërisht vendit tonë ndërkohë, dalin në pah të dhëna të tjera interesante, si p.sh. barazia në paga, indikator në të cilin Shqipëria renditet e 5-ta në botë, me një barazi në rreth 80%. Por, një vit më parë ishte e 3-ta në botë me një nivel barazie në 83%, ç`ka do të thotë se në këtë drejtim janë bërë hapa prapa.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.