Shqipëria drejton sytë për investime nga Polonia – Rama takon homologen polake. Fokusi në energji, infrastrukturë, miniera dhe bujqësi

Bizneset shqiptare dhe polake do të mblidhen në një forum të përbashkët në Varshavë më datë 6 Dhjetor, duke dhënë mundësinë për të krijuar bashkëpunime në fusha të ndryshme të aktivitetit.
Eventi pritet të marrë një rëndësi të veçantë, pasi në të do të marrin pjesë edhe kryeministri shqiptar Edi Rama dhe homologia e tij, Beata Szydlo. Kryeministri do të shoqërohet në takim nga grupi shqiptar i biznesit, i cili përfshin kompani nga fusha e bujqësisë, blegtorisë, procesimit të ushqimeve, turizmit dhe tekstileve.
Forumi do të shërbejë gjithashtu për të prezantuar asetet e të dyja vendeve, si edhe potencialin e Shqipërisë si një vend tërheqës për investimet e kompanive polake. Gjatë eventit do të zhvillohen edhe takime B2B, ku bizneset flasin kokë më kokë dhe shkëmbejnë kontaktet.
Shkëmbimet tregtare mes Shqipërisë dhe Polonisë janë në rritje konstante vit pas viti, ndikuar kryesisht nga shtimi i importit të mallrave nga shteti i Europës Lindore.
Gjatë viteve të fundit, për vendin tonë ka patur edhe një interes të shtuar nga turistët polakë, të cilët për 10 muajt e parë të vitit llogariten në mbi 113 mijë individë dhe tashmë janë një prej kombësive që frekuentojnë më tepër Shqipërinë, sidomos gjatë sezonit veror.
A.H./SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.