Shqipëria, ëndërr low-cost për 182 mijë italianë – Pyetja: A do të zgjasin çmimet e ulëta?

Turistët nga ana tjetër e Adriatikut që kanë vizituar Shqipërinë këtë vit nga Janari në Korrik, llogaritet të jenë rreth 182 mijë persona, ku vetëm 51 mijë përgjatë muajit Korrik. Ky numër përfaqëson një rritje prej 56,5%, sipas shifrave të INSTAT.
Për italianët, vendi ynë duket të jetë më tërheqës jo më shumë për plazhet se sa për çmimet, pasi kostoja e akomodimit dhe e ushqimit ka qenë kryefjala e çdo artikulli gjatë kësaj vere.
“La Repubblica” i ka kushtuar një artikull pikërisht çmimeve të Shqipërisë, të cilat me të njëjtën vlerë garantojnë luks, në krahasim me një paketë bazike në vendet e tjera që përpiqemi të konkurrojmë.
Italianët, që renditen tek turistët që shpenzojnë më shumë para jashtë vendit, në Shqipëri zgjedhin të kursejnë. Duke preferuar të akomodohen gjithsesi në hotele, këta turistë janë ndër ata që shpenzojnë më tepër, por shumë larg aspiratave të turizmit shqiptar.
“Paketat që propozojmë për bregdetin jugor shqiptar për një javë në struktura të shkëlqyera nis nga 400 euro në apartament deri në 600 euro në hotele me 4 yje, ku përfshihet edhe trageti. Për Korfuzin mund të arrijmë edhe në 1000-1300 euro, por me një cilësi inferiore të ofertave”, tregon Tommaso Valenzano, një tur operator.
Edhe në një sondim të tregut në Sarandë, çmimet nisin nga 30 euro nata për dhomë çift, ndërsa në hotele me 4 yje, standardi është mes 60 dhe 70 eurove.
Pra, një turist italian në vendin tonë, shpenzon mesatarisht pak më shumë se 20 euro për natë, ndërkohë që në vendet e tjera shifra është shumë më e lartë. Konkretisht, në Spanjë shpenzojnë mesatarisht 111 euro/natë, në Francë 82 euro/natë, ndërsa në Kroaci 53 euro/natë.
Duket se Shqipëria tërheq kështu italianët “e varfër”, të cilët shohin çmimet e kripura të ishujve grekë, para se të blejnë biletën për në Durrës, destinacion ende në fillimet e tij.
Por kjo parajsë çmimesh të ulëta nuk mund të zgjasë përgjithmonë. Teksa numri i turistëve që vizitojnë vendin rritet, bashkë me të ngrihen normalisht edhe çmimet e pushimeve.
“Këtë vit, dikush ka nisur të ngrejë vlerën e ‘ankandit’. Por është një rrugë krejtësisht natyrale, pasi kërkesa është shumë e lartë dhe pronarët e hoteleve kanë nisur të përshtaten”, thotë Valenzano.
“Shqipëria po reziston, kushedi për sa kohë, si destinacion low-cost”, shkruan “La Repubblica.
Angelo Haruni/SCAN
Ulet numri i turistëve për muajin Korrik – 146 mijë kosovarë më pak, rritje për të gjithë pjesën tjetër
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.