Shqipëria fiton 10 pozicione – Indeksi i Inovacionit 2018, mbetemi sërish ndër 3 vende e fundit në Europë
Shqipëria ka fituar plot 10 pozicione në Indeksin Global të Inovacionit. Indeksi i këtij viti, e rendit vendin tonë të 83-tin në botë ndër 126 vende, ndërkohë që në raportin e një viti më parë mbante vendin e 93-të. Pavarësisht progresit me 10 pozicione, Shqipëria mbetet e parafundit në rajon, duke lënë pas Maqedoninë me vetëm një pozicion në renditjen e përgjithshme. Shqipëria, Maqedonia dhe Bjellorusia janë 3 vendet e fundit në Europë sa i përket inovacionit. Ky indeks ka për synim të masë nivelin e inovacionit të një ekonomie të caktuar.
Renditja e vendit tonë në një prej 3 vendeve të fundit në Europë flet qartë për një ekonomi që ende nuk e ka përqafuar teknologjinë. Indeksi i përgjithshëm bazohet në 7 nën-indikatorë, ku performancën më të dobët e regjistron në atë të dijes dhe prodhimit teknologjik, ku renditemi në vendin e 110-të në botë, ndër 126 ekonomi të ndryshme. Performanca më e mirë ndërkohë vjen nga nën-indikatori që i referohet sofistikimit të tregut.
Në nën-indikatorin e institucioneve renditemi të 55-ët dhe në atë të infrastrukturës të 62-tët në botë. Në atë të sofistikimit të biznesit ndërkohë, Shqipëri renditet në vendin e 98-të në botë, pra nën renditjen e përgjithshme.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.