Shqipëria gjithmonë e më e preferuar nga polakët – Ngjitet sërish, e 7-ta në listë

Që Shqipëria ynë nuk është më një risi për turistët nga Europa Lindore kjo dihet, e në veçanti për polakët, numri i të cilëve vizitojnë vendit tonë ka ardhur në rritje vit pas viti.
Por duket se tashmë Shqipëria po shndërrohet në një nga destinacionet më të preferuara, aq sa për t’u renditur e shtata nga 10 vendet me më shumë prenotime. Më herët gjatë vitit, vendi ynë kishte arrritur të renditej mes dhjetë vendeve më të preferuara për herë të parë. Vendet e para në këtë renditje u përkasin Greqisë, Bullgarisë dhe Spanjës.
Shifrat vijnë nga Shoqata e Operatorëve Turistikë të Polonisë dhe përfshijnë të gjitha prenotimet e bëra nga data 1 Nëntor 2016 deri në 31 Korrik 2017.
Për polakët, pushimet në Shqipëri nënkuptojnë çmime më të ulëta si në paketa, ashtu edhe në ushqime, por dhe mundësi për të përballuar më shumë luks. Çmimi mesatar i rezervimeve për në Shqipëri është 1300 euro për paketë, ndërsa çmimi i paguar për person arrin mesatarisht në 547 euro.
Ndër dhjetë vendet e para, shifra është më e lartë vetëm për paketat në Kroaci, Bullgari dhe Egjipt.
Sa i përket destinacioneve specifike, Tirana zë vendin e nëntë, pas dy destinacionesh në Bullgari, pesë destinacionesh në Greqi dhe Antalias në Turqi. Tirana është një destinacion më popullor se sa Majorka, ishulli i Kos, Bodrumi, etj.
Pasi mbërrijnë në Tiranë, shumica e pushuesve polakë u drejtohen bregdetit, kryesisht në Durrës, Golem, Sarandë dhe Shëngjin.
Këtë vit polakët kanë udhëtuar më shumë drejt destinacioneve të huaja për pushime dhe vihet re një tendencë në rritje për klientët që udhëtojnë me makinat e tyre. Kjo shpjegon edhe numrin e lartë të automjeteve me targa polake në vendin tonë.
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.