Shqipëria, “hiti” i ri veror për rumunët – Tur operatorët: Favorizojnë çmimet e lira dhe plazhet

Ndër destinacionet e preferuara të kësaj vere për rumunët do të jetë edhe Shqipëria. Ky pohim vjen nga tur operatorët në Rumani, të cilët shprehen se ofertat e lira dhe kushtet e kënaqshme po tërheqin gjithmonë e më tepër pushues.
“Shqipëria e meriton padyshim të jetë destinacioni veror. Disa turistë druhen ta zgjedhin, por çmimet janë shumë të mira. Mund të gjesh edhe akomodim për 7 netë me 100 euro. Në përgjithësi rezervimet nuk i tejkalojnë 300 euro për çift. Në Shqipëri mund të shkosh vetëm me pasaportë dhe kjo është e leverdishme”, thotë një agjent turistik.
Resortet më të frekuentuara për rumunët në Shqipëri ndodhen në Ksamil dhe Sarandë, ndryshe nga turistët e tjerë që preferojnë Durrësin.
“Atje plazhet janë të mëdha me rërë të pastër. Gjithashtu ka plazhe me shezlong dhe plazhe të tjerë shumë të bukur dhe të egër. Gjithashtu ushqimi është i lirë, gati sa gjysma e çmimeve në Rumani. Në Shqipëri mund të presësh të qëndrosh një javë për 500 euro”, thotë tur operatori.
Një tjetër faktor që pritet t’i japë shtyse turizmit nga ky vend i Europës Lindore është fakti që po shqyrtohet mundësia e shtimit të një linje direkte ajrore. Sipas Autoritetit të Aviacionit Civil Shqiptar, linja Tiranë-Bukuresht pritet të nisë fluturimet charter brenda verës.
Destinacione të tjera të pëlqyera nga rumunët përfshijnë: Greqinë, Turqinë, Bullgarinë dhe Spanjën.
A.H./SCAN
“Bum” fluturimesh, AAC: Shtohen 2 destinacione të reja, në shqyrtim 4 të tjera. Ja cilat do të jenë ato
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.