Shqipëria kërkon fonde nga BE – Bushati: Të jemi pjesë e buxhetit të unionit, ndryshe nuk ka zgjerim
Ministri i Punëve të Jashtme dhe i Çështjeve Europiane, Ditmir Bushati, në një prononcim për mediat e Brukselit deklaroi se, Shqipëria është e ndërgjegjshme për problemet e Europës , dhe sidomos ndarjes së Europës së veriut me atë të jugut; ndarje kjo që ka në themel zhvillimin ekonomik.
Bushati ka folur edhe për vetëdijen e lodhjes nga europianizimi gjë që në fakt i referohet lodhjes nga zgjerimi, dhe që sipas Bushatit është rrjedhojë e mungesës së ligjit në disa vende anëtare.
Sipas ministrit të jashtëm, Shqipëria është e ndërgjegjshme se procesi i anëtarësimit do të kërkojë goxha kohë, por se nga ana tjetër, vendit i duhen patjetër negociatat dhe korniza europiane për të vazhduar përpara.
I pyetur për pritshmëritë e Samitit të Sofjes të datës 17 Maj, Bushati nënvizoi se, qëllimi në vetvete nuk është zgjerimi por më tepër reduktimi i hendekut mes vendeve anëtare dhe atyre jo anëtare në kontinent, pasi sipas tij, vendet anëtare, si Bullgaria apo Greqia kanë akses në fondet strukturore ndërkohë që vendet jo anëtare duhet të mbështeten në buxhetin e shtetit, gjë që bën që hapësirat fiskale në Ballkanin e Perëndimor të jenë mjaft të vogla.
Bushati shtoi gjithashtu se, pret që Samiti i Sofjes të përgatisë terrenin për buxhetin e ardhshëm afat-gjatë të Bashkimit Europian. “Nëse nuk ka një lidhje mes vizionit politik dhe programit të buxhetit, atëherë zgjerimi nuk mund të ndodhë”-shtoi ai. “Samiti i Sofjes është një samit ku do të hapet rruga për implementimin e projekteve”, tha Bushati.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.