Shqipëria me bankë zhvillimi? – Ekspertët: Sjell më shumë eficiencë, transparencë dhe ekspertizë
Mbledhja e një sasie të madhe ndihmash dhe kredish të buta në konferencën e donatorëve ka risjellë në vëmendjen e ekspertëve idenë e ngritjes së një banke zhvillimi. Edvin Libohova, ish-drejtor i bankës së Kursimeve dhe Bankës Popullore, thotë se Shqipëria duhet të marrë seriozisht në konsideratë idenë e ngritjes së një banke zhvillimi, ku të kanalizohen prioritetet kryesore të qeverisë për zhvillimin ekonomik të vendit.
Zoti Libohova mendon se grantet apo financimet e buta që Shqipëria përfiton nga partnerët e huaj, por edhe ato që jepen nga buxheti i shtetit, do të shfrytëzoheshin më me efikasitet përmes një banke zhvillimi. Sipas tij, kjo do të garantonte gjithashtu më shumë transparencë, si edhe një nivel më të lartë ekspertize në përdorimin e fondeve.
Disa nga vendet e Ballkanit Perëndimor, si Sllovenia apo Maqedonia e Veriut, kanë një përvojë pozitive me përdorimin e bankave të zhvillimit për të mbështetur sektorët strategjikë të ekonomisë.
Banka e zhvillimit mund të jetë gjithashtu një mënyrë për të shfrytëzuar më mirë potencialet e sektorit bankar në vend, përmes skemave të bashkëfinancimit apo mbulimit të riskut.
Partia Socialiste paraqiti idenë e ngritjes së një banke zhvillimi në programin qeverisës të vitit 2013. Banka në fjalë do të kishte synim mbështetjen e bujqësisë në vend. Por, as Banka Bujqësore dhe as ndonjë formë tjetër e ngjashme nuk është marrë seriozisht në konsideratë gjatë këtyre shtatë viteve të qeverisjes.
Ersuin Shehu / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.