Shqipëria, më e dobishme për të “furnizuar” me ushqim, pije dhe duhan! Çfarë u eksportua më shumë në 2019?
Ashtu si në vitin 2018, edhe në 2019 Shqipëria ka eksportuar më shumë grupmallra ‘tekstile dhe këpucë’. Referuar raportit më të fundit të Instat mbi tregtinë e jashtme, në 2019, Shqipëria ka eksportuar 118.1 miliardë lekë nga këto grupmallra drejt destinacioneve të ndryshme të botës.
Edhe pse janë grupmallrat që më së shumti i kanë “angazhuar” vendasit me eksport, në fakt, krahasuar me vitin 2018 ka pasur një rënie të ndjeshme me 5.5 miliardë lekë. Sipas të dhënave të Instat, eksporti vendas i grupmallrave “tekstile dhe këpucë” në vitin 2018 ka qenë 123.7 miliardë lekë.
Nga ana tjetër, “minerale, lëndë djegëse, en,el” janë grupmallrat e eksportuara më së shumti në 2019, pas tekstileve dhe këpucëve. Rënia e eksporteve krahasuar me vitin 2018 është pasqyruar edhe në këtë hallkë, me afro 6.1 miliardë lekë.
Në janar-dhjetor 2019 eksportet e grupmallrave “minerale, lëndë djegëse, en,el” kapën vlerën e 50.2 miliardë lekëve, në një kohë që për janar-dhjetor 2018, kjo vlerë ishte 56.3 miliardë lekë.
Sipas raportit të Instat, materiale e ndërtimit dhe metalet janë në vendin e tretë përsa i përket kontributit të dhënë në eksportet shqiptare përgjatë vitit që lamë pas. Në 2019, Shqipëria eksportoi 45.3 miliardë lekë nga këto grupmallra drejt shteteve të ndryshme të botës.
Edhe në këtë rast, vihet re një rënie e ndjeshme krahasuar me 2018, në të cilën eksporti i grupmallrave “materiale ndërtimi dhe metale” ishte në vlerën 53.1 miliardë lekë.
Nga ana tjetër, rritja e eksporteve është ndjerë në grupmallrat “ushqime, pije, duhan”. Në 12 muajt e 2019, Shqipëria “furnizoi” me 35.3 miliardë lekë “ushqime, pije, duhan” eksportet, afro 3 miliardë lekë më shumë se në vitin paraardhës.
Nga ana tjetër, përsa i përket asaj që Shqipëria eksportoi më pak në vitin 2019, renditja fillon me lëkurën dhe artikujt e saj. Në 2019, eksportet e këtyre grupmallrave ishin në vlerën e 2.4 miliardë lekëve, edhe më pak se në 2018, kur kjo vlerë ishte 2.7 miliardë lekë.
Në total, në vitin 2019 u eksportuan 298.7 miliardë lekë mallra nga Shqipëria në shtetet e tjera të botës, shifër kjo jo fort pozitive, pasi shënohet me një rënie prej 11.6 miliardë lekësh, krahasuar me vitin 2018, në të cilin vlera e mallrave të eksportuara ishte 310.4 miliardë lekë.
E kundërta ka ndodhur me importet, të cilat kanë shënuar rritje. Sipas Instat, në 2019 Shqipëria ka importuar mallra në vlerën 649 miliardë lekë, në një kohë që për 2018, importet ishin në vlerën 641.4 miliardë lekë.
Jenida Vladi/ SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.