Shqipëria në 2020-ën, sipas BB – Konsumi privat dhe shpenzimet e qeverisë në rënie, inflacioni dhe bujqësia në rritje
Banka Botërore publikoi në fund të javës së kaluar, raportin e zgjeruar periodik për Europën dhe Azinë qendrore me projeksionet më të fundit, të cilat për vendin tonë flasin për një rënie ekonomike prej 1.4% këtë vit, ç`ka përkthehet në recesion. Por, raporti i Bankës Botërore, flet edhe për sektorë të caktuar si dhe indikatorë të ndryshëm, të cilët ilustrojnë një panoramë më të qartë të ekonomisë shqiptare në 2020-ën.
Jo të gjithë këta indikatorë janë domosdoshmërisht negativë. Sa i përket ekonomisë në tërësi, rënia ekonomike do të udhëhiqet nga ( 1 ) shërbimet, në kontraktim me 2.8% në terma vjetorë. Por, ( 2 ) bujqësia, projektohet të rritet me një hap edhe më të madh se viti i kaluar, me 1.2%. E njëjta gjë vlen edhe për industrinë.( 3 ) Nga rënia e një viti më parë në masën 0.4%, këtë vit, parashikohet në stanjacion. Një prej arsyeve përse parashikohet në rënie këtë vit ekonomia, është ( 4 ) pikërisht konsumi privat, që projektohet të jetë në rënie në masën 1.4% krahasuar me 2019-ën.
Kjo rënie e konsumit privat duket se s`do të ketë ndikim negativ në normën e inflacionit, ( 5 ) që pritet t`i drejtohet gradualisht objektivit të Bankës së Shqipërisë, pa e tejkaluar atë. Edhe ( 6 ) shpenzimet e qeverisë parashikohen në rënie të lehtë, sipas raportit të Bankës Botërore. ( 7 ) Rënia ndërkohë do të jetë drastike për importet dhe eksportet, me këto të fundit që do të pësojnë goditjen më të madhe.
Roel Korkuti / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.