Shqipëria në Panairin më të madh botëror të Turizmit me ofertë për investime – Klosi: Më e mira në rajon

Ditën e hënë ka nisur në Londër një nga panairet më të rëndësishëm të turizmit në botë “World Travel Market”. Eventi ku merr pjesë edhe Shqipëria, zhvillohet në datat 6-8 Nëntor dhe i jep mundësinë vendit tonë të tërheqë investitorë e agjenci turistike që duan ta përfshijnë në programet e tyre.
Në fokus të Stendës së Shqipërisë është tematika e turizmit të kulturës, sporteve të aventurës dhe turizmit arkeologjik, me këtë të fundit që përkon me vitin e qëndrueshëm të shpallur nga Organizata Botërore e Turizmit.
Posted by Agjencia Kombëtare e Turizmit on Tuesday, November 7, 2017
Krahas Agjencisë Kombëtare të Turizmit, këto dy ditë ka qenë i pranishëm edhe Ministri i Mjedisit dhe Turizmit, Blendi Klosi, i cili zhvilloi intervista me disa nga mediat më të njohura ndërkombëtare si BBC, National Geographic, Travel Channel dhe Euro News, në kuadër të promovimit të turizmit alternativ si dhe turizmit të qëndrueshëm.
Për Klosin kjo ishte një mundësi edhe për të pasqyruar politikat e qeverisë shqiptare për zhvillimin e këtij sektori, sidomos për përthithjen e investimeve të huaja. Sipas Klosit, “Shqipëria vjen në këtë përfaqësim botēror me ofertën për investime, më të mirën në rajon”.
Ofertën e Shqipërisë e përfaqësojnë në këtë panair edhe disa tur operatorë të ndryshëm, si edhe disa produkte verërash e mjalti vendas.
Posted by Blendi Klosi on Tuesday, November 7, 2017
Panairi vizitohet nga rreth 51 mijë individë të interesuar për ofertat turistike, nga të cilët 9 mijë janë drejtues e vendimmarrës, të cilët përcaktojnë destinacionet e përfshira në agjencitë e tyre. Të ndara sipas kategorive, WTM përfshin mbi 1 mijë hotele e kompani të tjera akomodimi, 980 tur operatorë, 667 kompani që menaxhojnë destinacionet, 274 kompani transporti, si dhe qindra kompani e organizata të tjera.
A.H./SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.