Shqipëria në rrugën Europiane – Rama me Macron, po përgatisim reforma dhe negociata

Kreu i qeverisë shqiptare, Edi Rama gjatë samitit të Triestes, ka pasur mundësinë të takohet dhe me Presidentin e Francës, Emmanuel Macron. Rama e ka bërë publik takimin mes tij dhe Macron nëpërmjet një postimi në Facebook.
“Në Trieste me Presidentin Emmanuel Macron, për Europën që duam, rajonin tonë si pjesë e saj dhe rrugën europiane të Shqipërisë ku po përgatisim një mandat reformash e negociatash me Bashkimin Europian.”
Më 12 korrik 2017, u zhvillua Samiti i Triestes për Ballkanin Perëndimor, si etapa e radhës e Procesit të Berlinit, në vazhdën e samiteve të organizuara në Berlin 2014, Vjenë 2015 dhe Paris 2016.
Gjatë Samitit, Kryeministrat e pesë vendeve të rajonit dhe Bashkimi Evropian nënshkruan “Traktatin e Komunitetit të Transportit”, i cili vendos mbi një bazë të re ligjore modernizimin e rrjetit infrastrukturor në rajon, duke synuar krijimin e një tregu të integruar të transportit dhe linjëzimin me rregullat e BE-së.
Ndërkohë që për krijimin e “Zonës Ekonomike Rajonale” vendet e rajonit miratuan një plan masash për lehtësimin e shkëmbimit të mallrave, shërbimeve, kapitaleve dhe punës së kualifikuar. Këto hapa synojnë të bëjnë rajonin më tërheqës për investime dhe shkëmbime tregtare, duke përshpejtuar përafrimin me BE-në dhe duke sjellë rritje ekonomike dhe të punësimit për qytetarët e rajonit.
Entela Barjamaj/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.