Shqipëria nis blerjen mbrapsht të eurobondit të 2015 – Ja shuma që do blihet dhe detajet e propozimit
Ditën e hënë, Shqipëria u listua zyrtarisht në tregjet ndërkombëtare të kapitalit për operacionin e blerjes mbrapsht (buy-back) të Eurobondit të lëshuar në vitin 2015.
Sipas dokumenteve të Bursës së Londrës, të zbardhura nga SCAN, qeveria synon të blejë një shumë maksimale prej 200 milionë eurosh, me një ofertë prej 109.75% të vlerës së principalit që maturohet në vitin 2020.
Prioritet ndaj ofertës së Shqipërisë do të kenë huadhënësit aktualë që synojnë të marrin pjesë në eurobondin prej 500 milionë eurosh që do të lëshohet në vijim.
Afati përfundimtar për paraqitjen e ofertave për blerjen pas të borxhit është data 1 Tetor 2018, ndërsa i gjithë operacioni pritet të përfundojë në datën 9 Tetor 2018. Pas këtyre afateve, pritet të vijohet me daljen në tregje të eurobondit të ri prej 500 milionë eurosh.
Manaxherët e autorizuar nga shteti shqiptar të kësaj marrëveshjeje janë Banca IMI, Citigroup dhe Societe Generale.
Dalja në treg e eurobondit të vitit 2015 prej 450 milionë eurosh u udhëhoq nga Deutsche Bank dhe JP Morgan Chase. Bondi me afat maturimi 5-vjeçar arriti një kupon prej 5.75%, përkundrejt interesit prej 7.5% të vitit 2010. Këtë vit qeveria do të synojë një normë interesi edhe më të ulët, bazuar mbi vlerësimin pozitiv të daljeve të mëparshme në treg.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.