Shqipëria nuk shfrytëzoi potencialin – Raporti i CEFTA, investimet e huaja direkte, jo sa ç`duhet të ishin
Shqipëria ka qenë e paaftë të shfrytëzojë potencialin që ka për të përthithur investime të huaja direkte, thotë raporti më i fundit i investimeve të Cefta-s, i përpiluar në bashkëpunim me iniciativën e Vjenës dhe i financuar nga Bashkimi Europian.
Raporti nënvizon faktin se, investimet e huaja direkte në Shqipëri kanë qenë nën potencialin e tyre, ndryshe nga Serbia, Kosova, Maqedonia apo Mali i Zi. Diçka e tillë ilustrohet edhe nëpërmjet grafikëve.
Ky grafik tregon se, në vitet 2009, 2010, 2013 dhe 2015, potenciali është shfrytëzuar i plotë, e madje edhe është tejkaluar, ndërkohë që në vitet e tjera, deri në 2015, potenciali është keqshfrytëzuar dhe Shqipëria ka tërhequr më pak investime të huaja se ç`duhet të kishte tërhequr.
Rekordi historik negativ regjistrohet në vitin 2012, kur Shqipëria nuk shfrytëzoi një të pestën e potencialit që kishte në dispozicion sa i përket investimeve të huaj direkte.
Raporti këshillon Shqipërinë dhe vendet e tjera të rajonit, që për të rritur shfrytëzimin e potencialit duhet diversifikuar portofoli i investimeve të huaja, kryesisht në drejtim të burimeve të rinovueshme dhe energjisë së gjelbër.
Por ndërkohë që Shqipëria rezulton në listën e vendeve që ka keqshfrytëzuar potencialin që ka, të dhënat tregojnë se është vend i dytë në rajon, pas Serbisë, sa i përket fluksit të investimeve të huaja direkte hyrëse, dhe kjo duket edhe nga grafiku, ku vendi ynë paraqitet me ngjyrën blu.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.