Shqipëria, parajsa e re e italianëve për pushime – Det fantastik dhe me 7 euro ha peshk të freskët të shijshëm

“Dhjetë ditë përgjatë Shqipërisë për të zbuluar një cep të harruar të Italisë. Po, sepse kush vendos të udhëtojë drejt vendit të shqiponjave nuk mund të injorojë historinë që ka lidhur dhe lidh akoma dy vendet. Një binjakëzim i hollë por i fortë, i cili kuptohet vetëm duke bluar kilometra nga Tirana në Berat, duke iu drejtuar rivierës meridionale me Himarën, Ksamilin, Gjirokastrën e deri në Vlorë, ku mes detit të kristaltë, bunkerëve komunistë dhe fshatarëve me zemrën e artë, turizmi ka gjetur një frontierë të re low cost”.
Kështu nis përshkrimi i udhëtimit nëpër Shqipëri, në artikullin më të fundit të publikuar në portalin liberoquotidiano.it. Edhe njëherë vendi ynë është në vëmendjen e mediave italiane për atë çfarë ka më tërheqëse: bukuritë natyrore dhe çmimet e lira.
Për italianët Shqipëria ofron një alternativë ndaj turizmit klasik të masave, duke kujtuar se bregdeti këtu është ana tjetër e rivierës puljeze dhe asaj greke.
Gazetari Giuseppe Spatola, udhëtimin e tij tregon se e ka ndërmarrë së bashku me familjen me traget, një udhëtim paksa i kushtueshëm dhe bezdisës, por që është i vetmi aspekt negativ.
“Ndenja në Vlorë në një hotel me katër yje është një rekord në kursim. Për ata që shohin xhepin, Shqipëria është një parajsë ku një pjatë me linguini kushton 500 lekë dhe një shezlong me çadër e paguan nga një minimale prej 150 lekësh deri në 250 lekë”.
Gjatë qëndrimit në vendin tonë, artikulli këshillon të blesh një kartë telefoni shqiptare me ofertë për të kursyer.
“Vende shumë të bukura, afërsi e jashtëzakonshme me Italinë, ekonomizim i dukshëm në kosto dhe shpenzime. Frontiera e re e turizmit (sidomos familjar) do të kalojë pashmangshmërisht nga jugu i Shqipërisë. Bregdeti shtrihet për 363 kilometra dhe pothuajse të gjitha plazhet janë të lira”.
Për të lexuar artikullin e plotë, kliko këtu.
Angelo Haruni/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.