Shqipëria pjesë e ekipit ndërkombëtar të eksplorimit shkencor në detin Mesdhe! Kuota 25 mijë euro
Shqipëria do t’i bashkohet një trupe ndërkombëtare me seli në Monako, e specializuar për kërkime shkencore, hulumtime dhe mbrojtje të ujërave të Mesdheut. Nisma është depozituar në Kuvend për ratifikim.
Ky Komision, me seli në Monako, përbëhet nga 23 shtete anëtare, të cilat përfaqësohen nga një delegat. Këto shtete mbështesin një rrjet me disa mijëra studiues detarë, të cilët përdorin mjetet më të fundit shkencore për të kuptuar, monitoruar dhe mbrojtur më mirë Detin Mesdhe i cili po ndryshon shpejt dhe po sjell ndikime të mëdha. Shtetet nënshkruese kanë një anëtarësim pesë vjeçar, i cili përtërihet automatikisht në mbarimin e saj dhe ndërpritet vetëm në rastet kur shteti kërkon të largohet.
Angazhimi si anëtar i KNESHDM-së sjell si pasojë detyrimin për të derdhur një kontribut vjetor, të përcaktuar nga Byroja prej 25 000 eurosh. Ministria e Turizmit dhe Mjedisit do të jetë institucioni kompetent për derdhjen vjetore të kontributit.
Shqipëria do të ketë të drejtën për të dërguar një të deleguar kombëtar në Komision, i cili ka edhe të drejtën e një vote. Shqipëria si një vend që laget nga ujërat e Mesdheut do të përfitojë ndihma financiare dhe teknike të nevojshme për shkencën e oqeanologjisë dhe mbrojtjes së ujërave nga rreziqe ku ndër më të njohurit mund të renditen ndryshimi klimaterik dhe ndotja.
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.