Shqipëria, më popullore mes polakëve këtë vit – “Bum” kërkesash për në Turqi, bien ishujt grekë

Plazhet shqiptare kanë fituar një pozicion të përhershëm në dhjetëshen e destinacioneve të preferuara për polakët. Këtë e konfirmon portali i pushimeve “travelplanet.pl”, si dhe të dhënat e Shoqatës së Tur Operatorëve në Poloni, sipas të cilëve, gjasat këtë vit janë që vendi ynë të presë edhe një numër më të lartë turistësh.
“Të dhënat e prenotimeve të hershme për pushime tregojnë se Spanja dhe Greqia janë duke rënë në popullaritet. Në Greqi kërkesa ka rënë edhe për shkak të taksës shtesë të mjedisit, e cila do të paguhet direkt në hotel. Shqipëria ka përfituar dhe arsyeja pse ky vend është kaq tërheqës për klientët e agjencive të udhëtimit është fakti se është i lirë dhe baza turistike është moderne”, shprehet Robert Golunksi, presidenti i kësaj agjencie.
Deklarata mbështetet nga raporti i fundit i “PZOT”, shoqatës së tur operatorëve, e cila e klasifikon Shqipërinë si vendin e 7-të në listë mbi Kroacinë, Portugalinë dhe Tunizinë. Një vit më parë në këtë periudhë, Shqipëria renditej e 9-ta.
Nr. | Vendi | Çmimi mesatar për prenotim |
1 | Greqia | 226,887 lekë |
2 | Turqia | 225,409 lekë |
3 | Spanja | 226,139 lekë |
4 | Egjipti | 174,339 lekë |
5 | Bullgaria | 178,580 lekë |
6 | Italia | 175,134 lekë |
7 | Shqipëria | 174,308 lekë |
8 | Kroacia | 137,362 lekë |
9 | Portugalia | 216,178 lekë |
10 | Tunizia | 176,734 lekë |
Edhe në listimin e destinacioneve specifike, Tirana është ngjitur nga vendi i 17-të në atë të 13-të, teksa vihet re edhe një shtrenjtim i paketave me rreth 300 zlota polake, ose rreth 9,500 lekë.
Nëse parashikimet e industrisë së turizmit dalës në Poloni rezultojnë të sakta, vizitorët nga ky shtet mund të shndërrohen lehtësisht në një nga grupshtetësitë më të rëndësishme për këtë sektor në vend. Nëse ritmi i rritjes do të jetë sa gjysma e atij të 2017, atëherë nga 114 mijë vizitorë, numri i polakëve do të arrinte në mbi 155 mijë, duke e shndërruar në shtetin kryesor të origjinës pas vendeve të rajonit dhe Italisë.
Ndërkohë, në listën e destinacioneve, Turqia dhe Egjipti kanë përfituar nga rënia e Spanjës dhe Greqisë. Në fakt, tendenca masive në Europë është për një rikthim drejt Antalias, Bodrumit dhe Sharm El Sheikh-ut, teksa trazirat e tensionet janë stabilizuar dhe siguria është përmirësuar.
A.H./SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.