Shqipëria pritet të ketë rritjen më të lartë në rajon-BE: Tensioni parazgjedhor dhe thatësira ngadalësuan ekonominë

Zgjatja e klimës së tensionuar parazgjedhore ka sjellë efekte negative në ekonomi, duke ngadalësuar ritmin e rritjes së saj në tremujorin e dytë të këtij viti. E dhëna kësaj here vjen përmes Bashkimit Evropian, në raportin e tremujorit të dytë për vendet kandidate për anëtarësim në BE.
“Të dhënat e disponueshme sugjerojnë ngadalësimin e rritjes ekonomike gjatë tremujorit të dytë, me shumë gjasa duke reflektuar situatën e tensionuar politike përpara zgjedhjeve parlamentare, ashtu si dhe kushtet problematike të motit”, thekson raporti. Ulje për tremujorin e dytë ka shënuar edhe konsumi familjar, i cili në terma vjetorë ka shënuar një rritje modeste me vetëm 1.9%.
Ndërkaq, Produkti i Brendshëm Bruto u rrit me 3.9% në terma vjetorë në tremujorin e parë, duke përshpejtuar ritmet e zgjerimit nga niveli 3.4 % në 2016. Zhvillim pozitiv ka shënuar edhe shkalla e punësimit, e cila u rrit me 2.8% në tremujorin e parë të 2017, ndërkohë që në tremujorin e mëparshëm u rrit me 5.5%.
E lartë, sipas raportit të Bashkimit Evropian, vazhdon të mbetet norma e papunësisë te moshat e reja, pavarësisht uljes me 3.8 pikë përqindjeje me bazë vjetore. Problem mbetet niveli i ulët i kreditimit, i cili, i pastruar nga efekti i fshirjes nga bilancet të kredive me probleme, ra në nivel negative në muajin maj, duke shënuar normën -1.2%. E megjithatë, në raport Shqipëria cilësohet si vendi që pritet të ketë rritjen më të lartë ekonomike në rajon për vitet 2017 dhe 2018, përkatësisht me 3.7 dhe 3.9%.
Kur vjen fjala te rekomandimet, Bashkimi Evropian thekson se Shqipëria duhet të vijojë në rrugën e konsolidimit fiskal, të vazhdojë përpjekjet për rritjen e të ardhurave publike, të vazhdojë planin e uljes së kredive me probleme, si dhe të nxisë përdorimin e monedhës kombëtare nga ana e qytetarëve.
Lidion Kulla/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.