Shqipëria prodhon më pak qumësht në 2016-ën, por rritet sasia e përpunuar

Viti 2016 ka shënuar një ulje të lehtë të prodhimit të qumështit në vendin tonë me 0,17%, krahasuar me vitin e mëparshëm. Është sasia e qumështit të lopës të grumbulluar që ka ndikuar në këtë rënie, duke përbërë rreth 103 mijë ton nga 125 mijë ton në total, me një rënie prej 2,25% krahasuar me vitin e mëparshëm.
Ndërkohë qumështi i grumbulluar i deles dhe i dhisë ka shënuar një rritje të lehtë për të dy origjinat, me përkatësisht 0,12% dhe 0,06%.
Teksa sasia e qumështit të destinuar për konsum është ulur me 1,13% në vetëm 11 mijë ton, ndryshimi më i madh ka të bëjë me përpunimin e tij. Sasia e qumështit të përpunuar ka patur një rritje të konsiderueshme, duke kaluar nga 4,6 ton në vitin 2015, në 6,4 ton në vitin e kaluar, për një rritje prej 38%.

Megjithatë në këtë kategori, qumështi i pasterizuar përbën pjesën më të madhe, ndërsa ai i trajtuar në temperatura më të larta gjatë procesit UHT është në rënie.
Në tre vitet e fundit, rënie ka patur në proceset e tjera të përpunimit të qumështit për konsum, ku ai gjysmë i skremuar tashmë përbën vetëm 36% të totalit, krahasuar me mbi gjysmën që zinte një vit më parë.
Gjatë këtyre viteve të fundit, tendeca e bizneseve shqiptare që merren me përpunimin e qumështit është drejt rritjes së prodhimit të nënprodukteve të tij. Prodhimi i djathrave ka shënuar një rritje të lehtë, sidomos në djathin e butë dhe atë të fortë, ndërsa produktet e tjera si gjiza apo salca e kosit kanë patur një dyfishim të prodhimit.
Edhe sasia e qumështit të acidifikuar të destinuar për konsum si kosi apo dhalla, kanë ruajtur trendin në rritje. Gjalpi tradicional ndërkohë ka shënuar një ulje të prodhimit me rreth 15,7%.
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.