“Shqipëria punon tokën. Konsumo Shqip” – Slogani i ri për bujqësinë shqiptare
Vizioni për të ardhmen i bujqësisë shqiptare do të vijë nën sloganin dhe nismën “Shqipëria punon tokën – Konsumo Shqip”. Ky është konceptimi i Ministrisë së Bujqësisë për promovimin e sektorit bujqësor bazuar mbi imazhin e realitetit aktual të bujqësisë në vend.
Imazhi i ri do të prezantohet në aktivitetin për promovin e këtij sektori këtë vit, ndërsa ministria ka hapur tashmë edhe procedurat publike për dizajnimin e organizimin e këtij eventi.
Në dokumentet e tenderit me vlerë 7.7 mln lekë përshkruhen edhe disa detaje nga aktiviteti dyditor, ku krahas kompanive do të prezantohet edhe kulinaria shqiptare, me 4 shefa kuzhine që do të përgatisin gatime tradicionale.
Ideja e Ministrisë së Bujqësisë mesa duket ka të bëjë me konceptin e produkteve shqiptare nga ferma në tavolinë, të cilat garantojnë cilësi dhe shije.
Në mbështetje të zhvillimit rural për vitin e ardhshëm Ministria parashikon edhe rritjen e skemës së mbështetjes për afërsisht 14 mijë përfitues. Ndërsa gjithashtu parashikohet rajonizimi i prodhimit bujqësor dhe blegtoral mbi bazën e potencialeve specifike sipas rajoneve, duke sjellë për pasojë rritjen e efektivitetit të mbështetjes financiare.
Ndërkohë nga buxheti 2018, investimet më të mëdha në fushën e bujqësisë do të shkojnë për pastrimin dhe rehabilitimin e kanaleve ujitëse dhe të kullimit.
A.H./SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.