Shqipëria rrëmben 6% të polakëve – Paketa mesatare 1240 euro, dyfishim nga viti në vit

Vitin e kaluar, Shqipëria pati shumë sukses si destinacion mes turistëve nga Polonia, çka vërtetohet nga numri i lartë i vizitorëve: 114 mijë.
Prirja këtë vit duket se është për rritjen e mëtejshme të këtyre shifrave, bazuar mbi raportimet e tur operatorëve polakë. Një raporti i fundit i shoqatës që grupon këta operatorë, tregon se Shqipëria zë aktualisht 3% të prenotimeve të bëra këtë vit.
Megjithatë, nëse i klasifikojmë destinacionet sipas datave të nisjes së turistëve, konkretisht nga 1 Korriku deri më 30 Shtator, shikojmë se Shqipëria zë një pjesë mbresëlënëse prej 6,3% të totalit të rezervimeve. Kjo ndodh për shkak se destinacione si Egjipti dhe Turqia gëzojnë një klimë më të ngrohtë, çka lejon pushime jashtë sezonit standard.
Raporti analizon edhe ecurinë për secilin destinacion nga viti në vit dhe Shqipëria rezulton të ketë një rritje me 73,7%. Nëse do ta përkthejmë këtë numër prenotimesh në shifra turistësh, atëherë mund të presim që këtë vit vizitorët nga Polonia të kapin 200 mjië vizitorë, çka do ta shndërronte në grupin e gjashtë më të madh të turistëve pas Kosovës, Maqedonisë, Greqisë, Malit të Zi dhe Italisë.
Rritja në numrin e prenotimeve e Shqipërisë, tejkalohet vetëm nga destinacionet që këtë vit po përjetojnë një bum të turizmit, si Turqia dhe Egjipti.
Çmimi mesatar i paketave turistike të rezervuara është 5,218 zlot polake, ose rreth 1240 euro, që përfshin udhëtimin, akomodimin dhe ushqimin për çifte apo familje. Paketa rritet mesatarisht me 200 euro për turistët që zgjedhin të fluturojnë drejt aeroportit të Rinasit.
Angelo Haruni/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.